Mesfushori me origjinë shqiptare i Liverpoolit, Xherdan Shaqiri, beson se skuadra e Jurgen Kloppit përbëhet nga lojtarët mjaftueshëm të mirë për ta fituar titullin e Ligës së Kampionëve këtë sezon.
Shaqiri shpreson se do ta përjetojë përsëri ndjenjën e triumfit në Ligën e Kampionëve, këtë herë më Liverpoolin. Ai kishte qenë pjesë e skuadrës së Bayernit kur kishin triumfuar në këtë garë në vitin 2013, transmeton Gazeta Express.
Shaqiri u transferua në Liverpool gjatë afatit kalimtar të verës për 13.5 milionë euro. Ai u largua nga Stoke City, ku kishte qëndruar për tri sezone. Që nga ky transferim, ai ka luajtur në dy nga tri ndeshjet e Ligës së Kampionëve të këtij sezoni, përfshirë edhe fitoren kundër Crvena Zvezdas me rezultat 4-0.
Liverpooli kishte pësuar disfatë në finalen e Ligës së Kampionëve sezonin e kaluar kundër Real Madridit me rezultat 3-1. Megjithatë, Shaqiri beson se skuadra e Kloppit tani është më e fortë dhe mund të shkojë edhe një hap më tutje këtë sezon.
“Unë e kam fituar titullin e Ligës së Kampionëve me Bayern Munichun dhe kjo ishte një ndjenjë e pabesueshme. Ëndërroj ta përsëris këtë sukses me Liverpoolin dhe pse jo? Janë kujtime të mrekullueshme, kështu që pse mos ta bëj përsëri?”, ka thënë Shaqiri.
“Ne kemi kualitetin për të arritur shumë alrg dhe vitin e kaluar ata arritën deri në finale. Ata nuk e fituan titullin e Ligës së Kampionëve, por ne do të tentojmë ta bëjmë të njëjtën edhe këtë sezon. Së pari, duhet të performojmë mirë dhe në fund do ta shohim. Kemi ende një rrugë të gjatë deri atëherë dhe duhet ta vazhdojmë me paraqitje të mira”.







