Shumë biznese dhe lokale afër rrugës “Ilaz Kodra” në Skenderaj tashmë do të kenë mundësinë që të punojnë më lirshëm, kjo pasi komuna ka asfaltuar këtë segment rrugor që lidh qendrën e qytetit.
Zëdhënësja e komunës së Skenderajt, Valentina Hylenaj thotë për KosovaPress se rregullimi i kësaj rruge ka qenë i një rëndësi të veçantë, pasi është në qendër dhe e lidh disa segmente të qytetit.
Ajo shprehu kritika për qeverisjen e kaluar, që sipas saj e ka lënë në gjendje të mjerueshme këtë rrugë për shumë vite.
Me ardhjen e kryetarit Bekim Jashari, zëdhënësja Hylenaj thotë se ka ndryshuar gjendja infrastrukturore si në rrugë lokale, ashtu dhe në fshatra. Qytetari Demir Asllani tha për KosovaPress se rregullimi i kësaj rruge ka qenë i stërzgjatur.
Mirëpo, përkundër kësaj ai shprehet se janë të kënaqur me punën dhe efikasitetin e komunës së Skenderajt. Të kënaqur me angazhimin e komunës në projekte infrastrukturore jashtë kamerës së KosovaPress-it u shprehën dhe shumë qytetarë të tjerë. Por ka dhe të tillë të cilët patën pakënaqësi për vonesat e rregullimit të saj.









