Gushti i vitit që lamë pas ishte i kobshëm për familjen Ndrecaj nga Gjakova. Valbona Marku Ndrecaj së bashku me vajzën e saj 9 vjeçare u vranë nga bashkëshorti, respektivisht babai Pjetër Ndrecaj.
Për vrasje të dyfishtë dorasi u dënua nga Gjykata Themelore e Gjakovës me vetëm 24 vjet heqje lirie. Ky dënim po konsiderohet i ulët dhe për më tepër shtytës që burrat të ushtrojnë më shumë dhunë ndaj grave.Këtë fat përveç Valbona Ndrecajt e kanë pasur edhe shumë gra kosovare. Nga janari deri në shtator të vitit 2018 janë evidentuar rreth 1129 raste të dhunës në familje, kurse jetën e kanë humbur 8 persona. Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, Tahire Haxholli, udhëheqëse e Njësisë për Hetime rreth Dhunës në Familje në kuadër të Policisë.
Ajo thotë se në vitin 2018 kanë parë më shumë raste të dhunës në familje, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2017.
Zëvendësministri i Drejtësisë, Naim Qelaj, njëherit Koordinator Nacional Kundër Dhunës në Familje, duke i konsideruar si shqetësuese përmasat e dhunës, ka thënë se sensibilizimi dhe shtimi i besimit ndaj institucioneve të vendit ka ndikuar që dhuna të raportohet më shumë.
Qelaj u shpreh se në vitin 2019 sfidë mbetet krijimi i institucioneve për trajtimin e viktimave dhe kryesve të dhunës. Sipas aktivistes së “Rrjetit të Grupit të Grave në Kosovë“, Adelina Berisha dhuna në familjet kosovare është mjaft e shprehur, ndërsa pak po bëhet për parandalimin e saj.
Shqetësuese ajo i konsideron edhe dënimet e ulëta për kryesit e dhunës, pasi sipas saj kjo mund t’i shtyjë burrat të ushtrojnë më shumë dhunë ndaj grave. Ajo tregon se Rrjeti i Grave të Kosovës ofron edhe avokatë për gratë ndaj të cilave është ushtruar dhunë.
Kurse kryetari i KMDLNJ-së, Behxhet Shala dhunën në familje e ka konsideruar si krim i cili është produkt i mentalitetit patriarkal.
Sipas tij kjo dukuri po bëhet më problematike pasi nënat po vendosin që përkundër dhunës së ushtruar ndaj tyre, të mos e raportojnë atë për shkak të fëmijëve.
Ndërsa sociologu Besim Gollopeni duke i treguar faktorët kryesorë që po ndikojnë në numrin e madh të rasteve të dhunës në familje, u shpreh se institucionet duhet të merren urgjent me trajtimin e saj.
Bazuar në statistikat policore në vitet e fundit ka pasur luhatje të numrit të rasteve të raportuara për dhunë në familje. Në vitin 2017 janë evidentuar 1196, për vitin 2016 janë raportuar gjithsej 1225 raste, në vitin 2015 janë raportuar komplet 1038 raste, kurse në vitin 2014 janë raportuar gjithsej 1179 raste, si dhe në vitin 2013 janë raportuar 1087 raste.







