Lidhja Demokratike e Kosovës, mbështetur nga partitë opozitare, është në kërkim edhe të dy nënshkrimeve siç deklarojnë vet ata për mocion mosbesimi ndaj Qeverisë Haradinaj. Këtë nismë për mocion mosbesimi, njohës të çështjeve politike po e konsiderojnë reflektim të arsyeshëm të opozitës, por që nuk shohin diçka konkrete në këtë drejtim, para gjysmës së dytë të muajit korrik.

Njohësi i çështjeve politike, Behlul Beqaj thotë se që nga dita e parë e punës së qeverisë Haradinaj, ka pasur arsye për rrëzimin e saj.Sipas tij, ideja për rrëzim të Qeverisë mund të gjejë edhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar, duke u krijuar kështu spektri i ri politik, i cili do të përfundonte procesin e dialogut Kosovë-Serbi.Por Beqaj thotë se për këtë do të duhej një lloj garancie.Gjithashtu, sipas tij, nuk ka pasur gatishmëri të faktorit ndërkombëtar, marrë parasysh rrethanat në procesin e dialogut.

Ndërsa, analisti Ramush Tahiri mendon se nuk ka procedim të iniciativës për rrëzim të qeverisë para gjysmës së dytë të muajit korrik.

Ai thotë se sheh vetëm zhurmë politike, por jo edhe rrëzim të Qeverisë, të paktën deri para muajit shtator.

Votat e LDK-së, të PSD-së dhe Vetëvendosjes nuk mjaftojnë për rrëzimin e Qeverisë, dhe rrjedhimisht, opozita duhet të kërkojë partnerë tjerë për të arritur finalizimin e nismës që ka ndërmarrë.Ndërkohë, Lista Serbe ka shprehur gatishmërinë për rrëzimin e Qeverisë Haradinaj.Por, sipas Artan Muratit nga Instituti Demokratik i Kosovës, Qeveria nuk do të duhej të rrëzohej me votat e Listës Serbe, meqë në këtë mënyrë veç sa do të fuqizohej politikisht Lista Serbe.Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përveç takimit që ka zhvilluar me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurtin, ai është takuar edhe me Shpend Ahmetin e PSD-së për të diskutuar rreth hapave tutje për të finalizuar me sukses mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë.

Në LDK kanë deklaruar se nuk do të kërkojnë votat e Listës Serbe për rrëzim të Qeverisë, por që në momentin që mocioni del në votim, ata nuk do të ndërhyjnë në votën e deputetëve, qofshin ata të Listës Serbe apo secilit subjekt politik.Target i LDK-së, sipas tyre, janë deputetët e partive në pushtet, që janë të pakënaqur me punën e Qeverisë.Ditë më parë shefi i deputetëve të LDK-së është takuar me atë të Vetëvendosjes, të PSD-së, dhe me deputetin Ilir Deda dhe Mimoza Kusarin, për të diskutuar për këtë çështje, dhe kanë harmonizuar tekstin e mocionit të mosbesimit.Më vonë, deputeti Milaim Zeka i cili votat i mori nën ombrellën e Nismës për Kosovën e tashmë është deputet i pavarur, ka deklaruar se do të votojë për rrëzimin e Qeverisë.