Qeveria e Republikës së Kosovës ka marrë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e vendimit të Qeverisë përmes të cilës Pakos së Ringjalljes Ekonomike i shtohet masa 3.7, -mbështetje në tejkalimin e krizës energjetike, që do të shfrytëzohet për të subvencionuar importin e energjisë elektrike.

Qeveria nëpërmejt një komunikate njofton se ka mbajtur mbledhjen në formë elektronike, ku është miratuar pas shqyrtimit të kërkesës së Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve për ndarjen e mjeteve buxhetore për zbatimin e masës 3.7, të aprovuar në vendimin paraprak.

“Qeveria ka ndarë mjete buxhetore në shumë prej njëzet milionë euro (20.000.000,00 € ), për zbatimin e masës për mbështetje të tejkalimit të krizës energjetike. Mjetet e ndara merren nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike, nën-programi “Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike” te kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”. Këto mjete transferohen në Ministrinë e Ekonomisë, te kategoria e shpenzimeve “Subvencione dhe Transfere”, në nën programin “Njësia për Politika dhe Monitorimin e Ndërmarrjeve Publike”. Ministria e Ekonomisë do të transferojë këto mjete te Ndërmarrja Publike KEK Sh.A. dhe shfrytëzimi i këtyre mjeteve do të përcaktohet në marrëveshjen që do të lidhet në mes të Ministrisë së Ekonomisë dhe Korporatës Energjetike të Kosovës”, thuhet në njofitm.