Greva e arsimit që u mbajt në muajin e parë të këtij viti përveç që ka ndikuar negativisht tek fëmijët, ajo ka dëmtuar financiarisht prindërit që i kanë fëmijët në çerdhet publike.
Prindërit janë detyruar që ta shërbimin në këto institucione ani pse fëmijët e tyre nuk i dërguan në çerdhe sa vazhdoi greva në arsim.Ata kërkojnë kompensim, kërkesë kjo që ia kanë bërë Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë, por që ende nuk kanë marr ndonjë përgjigje.Prindërit për krejt këtë çka ka ndodhur paralajmërojnë padi në gjykatë.Amir Haxhiu njëri nga prindërit i cili i ka fëmijët në institucionin publik parashkollor “Gëzimi ynë” në Prishtinë shprehet i indinjuar, sesi janë detyruar ta paguajnë muajin janar edhe pse fëmijët e tyre nuk kanë shkuar fare në çerdhe sepse kishte grevë.
Ai thotë se kanë bërë ankesa, por kot. Deri më tani nuk është ndërmarr asgjë.
E Muhamet Abdyli thotë se nuk e ka paguar çerdhen për muajin janar pa u marr një vendim nga Këshilli i Prindërve, por që, sipas tij, është e papranueshme kjo për shkak se ata për tri javë kanë shpenzuar më shumë nëpër çerdhet private.
Në kopshtin publik “Gëzimi ynë“ fëmijën e ka edhe Azem Duraku të cili nuk i duket në rregull mos kompensimi i parave.
Nderim Kamberi kryetari i Këshillit të Prindërve në institucionin parashkollor “Gëzimi ynë” thotë se për kompensimin e pagesave për muajin janar i janë drejtuar Drejtorisë së Arsimit në Prishtinë me ankesë të shkruar edhe elektronike, por që këta të fundit ende nuk iu kanë kthyer përgjigje.
Madje ai ka paralajmëruar edhe padi ndaj komunës së Prishtinës dhe bojkotim të pagesave tjera nëse nuk u kompensohen mjetet e muajit janar.
Ai tha se disa përfaqësues të Këshillit janë takuar me disa përfaqësues të Drejtorisë Komunale për Arsim, por që përgjigja e tyre ishte se nuk ka bazë ligjore për t’i liruar nga pagesa, e këtë përgjigje Kamberi e quan jo profesionale.Ndërsa, drejtoresha e institucionit parashkollor “Gëzimi ynë“ në Prishtinë, Indire Zenelaj thotë se në këtë institucion mbi 90 përqind e prindërve e kanë bërë pagesën për muajin janar, ani pse fëmijët nuk kanë vijuar çerdhen për më shumë se gjysmën e këtij muaji.
Zenelaj tha se e mirëpresin çdo vendim të Drejtorisë së Arsimit.Në anën tjetër, ministri i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi thotë se ata merren vetëm me kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, ndërsa për të tjerat duhet të bëjnë zgjidhje DKA-të.
Ndërsa, kryetari i Komisionit për Arsim në Kuvendin e Kosovës, Ismajl Kurteshi e konsideron të padrejtë këtë.Ai akuzon MASHT-in, duke thënë se për tema të ndjeshme në arsim gjithmonë përgjegjësinë po ia hedh DKA-ve.Nga komuna e Prishtinës përmes telefonit i kanë thënë KosovaPress se çështja e pagesës për çerdhet publike gjatë muajit janar edhe pse kanë qenë në grevë, është vendim i kryetarit, Shpend Ahmeti dhe duhet të respektohet.
Pagesën e muajit janar për çerdhet publike e ka kundërshtuar edhe kryetari i Këshillit të Prindërve të Kosovës, Ymret Reshiti i cili ka kërkuar që të kompensohen orët e humbura për të cilat prindërit kanë paguar edukatoret.Kujtojmë që gjatë muajit janar i gjithë sistemi arsimor në Kosovë ka mbajtur grevë për tre javë me kërkesën për rritje të pagave.
https://www.youtube.com/watch?v=5zT3_L4yqQQ







