Pastrimi i parave dhe korrupsionit po e dëmton zhvillimin ekonomik dhe funksionimin e shtetit të Kosovës. Prandaj autoritetet e Kosovës duhet të punojnë për zbatueshmërinë e ligjit.

Kështu u tha në konferencën e organizuar nga  Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe Këshilli i Evropës në kuadër të projektit të përbashkët kundër krimit ekonomik, në të cilin janë dhënë vlerësime rreth përputhjes së ligjeve të Kosovës me standardet evropiane në luftimin e korrupsionit, pastrimit të parave.

Libor Chlad nga Zyra e BE-së në Kosovë u shpreh se ndonëse Bashkimi Evropian do të vazhdojë të përkrah Kosovën për luftimin e dukurive negative,  në duart e autoriteteve kosovare është krijimi i një shteti ligjor.

Ai tha se përkundër që Kosova ka bërë disa ndryshime sa i takon aspektit ligjor ende ka hapësirë për të punuar në këtë drejtim.

Kurse, ministri i Financave, Bedri Hamza me këtë rast u shpreh se pastrimi i parave po dëmton shumë zhvillimin ekonomik të vendit, por që  institucionet e Kosovës po punojnë maksimalisht në luftimin e krimit ekonomik.

Hamza këtë raport e ka vlerësuar si vegël të çmuar e cila forcon kapacitetet e Kosovës për luftimin e këtyre dukurive negative.

I pari i financave të Kosovës tha se kjo Ministri ka krijuar korniza ligjore në harmoni me standardet ndërkombëtare  që mundësojnë zbatimin korrekt të ligjit.

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri u shpreh se përmes  një reformimi të thellë ligjor,  prokurorët dhe hetuesit e Kosovës do të keni mundësi që të kenë  instrumente të përshtatshme për luftimin e korrupsionit dhe  parandalimin e pastrimit të parave.

Ai tha se presin që të ketë një koordinim pozitë dhe opozitë për të aprovuar draft kodin e ligjin të  Kodit Penal dhe konfiskimit të pasurisë së jashtëligjshme.

Zëvendës shefi i Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Vahagn Myradyan u shpreh se vetëm duke punuar të gjitha institucionet së bashku mund të arrihet luftimi i korrupsionit dhe shpëlarja e parave.

Ai duke theksuar angazhimin e Këshillit Evropian ndaj Kosovës tha se parim fundamental i tyre është të pengohet mos zbatimi i ligjit.

Në fund të kësaj konference u lansua edhe raporti  për përputhshmërinë e Kosovës me standardet evropiane dhe ndërkombëtare në luftën kundër korrupsionit (LKK), dhe parandalimin e pastrimit të parave dhe luftimin e financimit të terrorizmit (PPP/LFT)./KosovaPress/