Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, po merr pjesë në takimin e Ministrave të Jashtëm të Vendeve të Grupit të Vishegradit (V4) dhe vendeve të Ballkanit anëtare në Bashkimin Evropian në Bratisllavë të Sllovakisë.
Pacolli tha se i ka informuar ministrat e jashtëm të rajonit dhe përfaqësuesit e BE-së për aksionin kundër krimit të organizuar në veri të Mitrovicës por edhe në pjesët tjera të Kosovës, ku u arrestuan një numër i madh i të përfshirëve në krim të organizuar dhe kontrabandë, duke përfshirë një numër të madh të zyrtarëve policorë.
“Ky operacion nuk ka pasur qëllim të sulmojë ndonjë komunitet specifik të qytetarëve të Kosovës, fqinjët tanë nga Serbia po vazhdojnë t’i japin karakter etnik duke i politizuar përpjekjet tona për fuqizimin e sundimit të ligjit. Makineria propagandistike serbe e orkestruar nga Vuçiç dhe Daçiq po përpiqen të krijojnë histeri dhe frikë përmes ‘fake news’ me qëllim të krijimit të tensioneve dhe destabilizimit dhe këtë ia thash edhe ministrit serb Dacic. Ne i njohim lojërat e Beogradit. Serbia e pengoi bashkëpunimin rajonal duke orkestruar shfaqje të ndryshme që treguan fytyrën e vërtetë të Beogradit”, tha Pacolli.







