Në hapjen e ekspozitës arkeologjike në Kalanë e Prizrenit, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi tha se kjo ngjarje është më tepër se kulturore, në të cilën po nis një ekspozitë në qytetin muze në Prizren, në epokën e globalizimit, ku përmes saj paraqitet trashëgimia dhe kujtesa jonë, pjesë përbërëse e identitetit tonë kulturor.
Siç njofton MKRS, dëshmitë e paraqitura në ekspozitë janë dëshmi të emancipimit kulturor e shoqëror të qytetërimit tonë.“Kalaja e Prizrenit, është monumenti më i veçantë i trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, simbol i qytetit, pjesë e ndritshme e identitetit kulturor të Kosovës. Ministria e Kulturës ka mbi dhjetë vite që këtë monument të veçantë e ka përfshirë në prioritetet e veta dhe falë angazhimit të suksesshëm të stafit profesional të MKRS- së, Kalaja është shndërruar në njërin prej atraksioneve të turizmit kulturor dhe të politikave kulturore në vendin tonë.
Kjo, sepse trashëgimia kulturore e historike është pasqyrë e vlerave dhe e nivelit kulturor të një populli, dhe se, përmes kujtesës historike, e njohim dhe e nderojmë të kaluarën, traditën, rrënjët, gjurmët, frymëmarrjet tona nëpër shekuj” ,tha ministri Gashi “Ky monument, falë përkushtimit të MKRS-së si dhe Fondit të Ambasadorit Amerikan ka marrë një pamje tjetër, krejtësisht solemne, është dhe mbetet Arkivi i Kosovës sidomos për epokën, historinë e periudhës mesjetare po ashtu Kalaja e Prizrenit është plotësuar edhe me një komponentë shumë të rëndësishme, pra Muzeun e Kalasë”, theksoi ministri Gashi.







