Punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” kanë shprehur shqetësimet lidhur me kushtet e tyre të punës.
Ata thanë se si pasojë e kushteve jo të mira, çdo vit në këtë aeroport e braktisin punën rreth 100 punëtorë, pasi edhe për gabime të vogla ata ndëshkohen me të holla nga menaxhmenti Limak, teksa paralajmëruan edhe mbajtjen e greve për datën 8 gusht.Kryetari i Sindikatës së Pavarur të aeroportit, Bashkim Latifi tha në një konferencë për media se me ardhjen e kompanisë turke, u shuan edhe veprimet sindikale brenda këtij aeroporti, teksa kërkoi nga konsorciumi LIMAK që t’i marrin parasysh pesë kërkesat e punëtorëve, të cilat ai i quajti legjitime dhe të drejta.
Ai madje tha se për shkak të kushteve të vështira të punës, çdo vit në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës e lënë punën rreth 100 punëtorë, teksa tregoi se menaxhmenti i kompanisë turke edhe për gabime të vogla ka dënuar 10 punëtorë deri në 16 mijë euro.
Përkrahje për punëtorët e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, ka ofruar edhe Dega e Komunikacionit në Lidhjen e Kosovës. Në emër të saj kryetari Alush Sejdiu tha se do të vazhdojnë me veprime sindikale deri në plotësimin e kërkesave të punëtorëve.
Në anën tjetër, përfaqësuesi ligjor i Sindikatës së Pavarur të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, avokati Tomë Gashi tha se që nga marrja në udhëheqje të kësaj ndërmarrjeje nga LIMAK, të drejtat e punëtorëve janë degraduar.
Gashi tha se menaxhmenti i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kërkesave të punëtorëve u është përgjigjur në formë të shkruar ku është kërcënuar kryetari i Sindikatës së Pavarur Bashkim Latifi, vetëm e vetëm që të heqin dorë nga protesta e paralajmëruar për datën 8 gusht.
Ndryshe, Sindikata e Pavarur e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, ka bërë të ditur se më datën 8 gusht do të mbajnë një protestë një orësh duke filluar nga ora 08:00 e mëngjesit.
Ata kanë kërkuar që menaxhmenti i aeroportit të reflektojë urgjentisht karshi kërkesave të tyre, me qëllim që punëtorët mos të hyjnë në grevë të përgjithshme.







