Karantinimi i qytetarëve që vijnë në Kosovë nga jashtë do të vazhdojë edhe më tutje, si pjesë e masave të domosdoshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit të ri COVID-19.
Kështu ka thënë ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia në një konferencë për media ku i prezantoi masat e reja të lehtësimit për lëvizje dhe hapjen e bizneseve.
“Kjo do të vazhdojë dhe është e domosdoshme për të vazhduar”, tha ai.
Lidhur me heqjen e Prishtinës nga karantina dhe lehtësimin e masave, Vitia tha se është në konsultim me kryetarin Shpend Ahmeti.
“Ne jemi në konsultime të vazhdueshme me kryetarin e Prishtinës, Ahmeti që t’i lehtësojmë masat edhe brenda qytetit, mirëpo edhe heqjen e karantinës. Me kryetarin Ahmetin jemi dakorduar qysh nga fillimi, nuk ka qenë problemi i eksportit të infeksionit në qytetet tjera, por ka qenë ideja ta mbrojmë Prishtinën si kryeqendër që ka qarkullim shumë dhe një shpërndarje e infeksionit në Prishtinë do thoshte se e gjithë Kosova do të ishte në rrezik”, tha Vitia.







