Me iniciativën e dy ministrive të Jashtme, asaj të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, nën organizimin e Odës Ekonomike të Kosovës dhe në bashkëpunim me Federatën e Odave për Ekonomi dhe Industri të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Odës për Ekonomi dhe Industri, sot në qytetin Sharjah është organizuar forumi ekonomik ndërmjet dy vendeve.
Gjatë forumit u theksua se takimet e tilla kanë për detyrë dhe synim avancimin e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtar, mundësitë të investimeve në dy vende, si dhe u vlerësua se ka mundësi të mëdha, akoma të pa shfrytëzuara për thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik, ka shkruar Ministri Valdrin Lluka në facebook.
Ja postimi i plotë i ministrit Lluka:
Një bashkëpunim në mes të Ministrive të Punëve të Jashtme të Kosovës dhe Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Odave Ekonomike të dy vendeve, solli forumin ekonomik në mes Kosovës dhe EBA, të financuar nga MPJ e Emirateve të Bashkuara Arabe.
Fillimisht, delegacioni Kosovar u prit nga Ministri për Ekonomi i Emirateve të Bashkuara Arabe, z. Al Mansoori dhe ekzekutivi i Odës Ekonomike Federale të EBA me të cilët diskutuam për së afërmi potencialet ekonomike në Kosovë, me fokus të veçantë në sektorin minerar.
Si kryesues i delegacionit Kosovar, gjatë fjalimit në hapje të forumit, potencova reformat që Kosova ka ndërmarrë me vite të tëra për të përmirësuar ambientin e të bërit biznes, gjë që është reflektuar edhe në raportet ndërkombëtare siç është ai i Bankës Botërore ku Kosova renditet e dyta në rajon, pas Maqedonisë.
Per më tepër, pozita gjeografike dhe kosto e ulët operative, e bëjnë Kosovën akoma me atraktive për bizneset që kanë target plasimin e produkteve në tregjet e Bashkimit Evropian, treg ky prej 600 milionë konsumatorë me qasje të lirë dhe pa tarifa doganore.
Prezantime të potencialeve në Kosovë kishte edhe nga Agjencia për përkrahjen e Investimeve dhe Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), departamenti për PPP në Ministri të Financave dhe Komuna e Vushtrrisë.
Në fund u nënshkrua një marrëveshje e bashkëpunimit në mes të Odës Ekonomike të Kosovës dhe të Odës Ekonomike të Sharjah.
Pjesë e delegacionit nga Kosova ishin edhe Ministri i Inovacionit, Besim Beqaj, zv. Ministrja e Punëve të Jashtme, Rejhan Vuniqi, Shefi Stafit të Kryeministrit, Avni Arifi, Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi dhe Kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri.







