Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, deklaroi sot se përkrahja e nismave për edukim është thelbësore për suksesin e shtetit të Kosovës, pasi programet në edukim u japin nxënësve mjete praktike dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara.

Ai këto komente i bëri me rastin e lansimit të “Junior geeks”, program ky i financuar nga Departamenti amerikan i Shtetit, përmes Ambasadës amerikane në Prishtinë dhe ICK.Programi është i ndarë si shpërblim për grupin e tre bursistëve. Në ceremoninë e lansimit u tha se platforma gjithëpërfshirëse për nxënësit e shkollave të mesme për të mësuar dhe zhvilluar ndërmarrësinë, teknologjinë e inovacionin. Ambasadori Kosnett tha se programe të tilla si “Junior Geek” u japin nxënësve mjete praktike dhe shkathtësi të reja për të vazhduar studimet e avancuara, e gjithashtu edhe të jenë konkurrues në tregun e punës. Diplomati amerikan tha se platformat online ofrojnë mënyra se si publiku mund t’i kërkojë llogari qeverisë dhe të kontribuojë për sundimin e ligjit në Kosovë.

Për Kosnett, është shumë e rëndësishme që programi është hartuar si platformë përfshirëse që bënë bashkë të rinjtë përtej kufijve gjeografik dhe etnik. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi tha se rinia kosovare e ka talentin, veçse duhet ofruar mundësi që ata të zhvillohen. Edhe drejtori ekzekutiv i ICK-së, Uranik Begut, tha se programi që u lansua sot do të ketë më shumë ndikim nëse është gjithëpërfshirës.

Ai tha se janë të hapur për çdo iniciativë që ka për synon përmirësimin e mirëqenies dhe që fokus ka zhvillimin ekonomik.

Ndryshe, platforma “Junior Geeks” do të sjellë ekspert lokal nga bota e teknologjisë, shkencës dhe inovacionit, në dispozicion te të rinjve të klubeve shkollore, për të mësuar rreth temave që u ndihmojnë atyre të formësojnë dhe zbatojnë shkathtësitë në fusha si programimi, robotika, siguria kibernetike e të tjera. “Junior Geeks” është nisma e parë e zbatuar në shkollat e mesme, e cila do të materializojë talentin e nxënësve në teknologji, inovacion, shkencë e ndërmarrësi.

Programi u nda si shpërblim për grupin e tre bursistëve Eldita Tarani, Shpend Lila dhe Zana Tabaku./KosovaPress/