Kandidati për kryetar të komunës së Mitrovicës Veriore nga radhët e Vetëvendosjes, Erden Atiq, thotë se ka në plan bashkimin e qytetit të Mitrovicës, dhe se kjo është arsyeja kryesore që e ka shtyrë të kandidojë për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet e 19 majit që do të mbahen në katër komunat veriore të vendit.

Ai gjatë një interviste, ka shpalosur programin e tij qeverisës, i cili përfshinë gjendjen socio-ekonomike të qytetarëve, punësimin, gjendjen e sigurisë dhe shkatërrimin e strukturave ilegale, por prioritet sipas tij do të jetë kthimi i shqiptarëve të shpërngulur me dhunë, rindërtimi i shtëpive të tyre, si dhe kompensimi i të gjithë atyre të cilët kanë pësuar këto 20 vitet e fundit.

35 vjeçari i lindur në veri të Mitrovicës, me profesion inxhinier i rrjetit, tha se gjendja aktuale e sigurisë në atë pjesë nuk është e kënaqshme dhe është e papranueshme që në shekullin 21 shqiptarët dhe komunitetet tjera jo serbe të jetojnë në në nivelin e getos.

Sipas tij, bashkëpunimi me komunitetin serb ka ngecje të mëdha, për shkak të presionit që bëhet ndaj tyre nga ana e Beogradit, ndërsa ka inkurajuar ata që të marrin guximin dhe të komunikojnë, në mënyrë që të integrgohen sa më parë në institucionet e Republikës së Kosovës.

Në lidhje me strukturat ilegale, ai ka bërë të ditur se ato duhet eliminuar duke forcuar të gjitha mekanizmat relevantë, duke dekriminalizuar institucionet siç janë gjykata, prokuroria dhe policia, të cilat siç u shpreh ai, duhet të udhëhiqen nga njerëz me të kaluar të pastër.

Sa i përket fitores në këto zgjedhje, ai tha se ka pak shpresë, për shkak të gjendjes demografike më të re të krijuar në atë pjesë, edhe pse synimi i tij është më shumë fuqizimi i Lëvizjes në komunat veriore.

Kandidati për kryetar nga radhët e Vetëvendosjes ka sqaruar për KP faktin pse faktori shqiptar nuk është duke garuar në këto zgjedhje me një kandidat të vetëm, duke thënë se është pikërisht PDK-ja e cila e ka sjellë Mitrovicën në këtë gjendje.

Atiq ka porositur qytetarët që ditën e zgjedhjeve të dalin masovikisht për të votuar dhe për t’i mundur ata, siç u shpreh, të cilët janë pakicë, por që sot kanë fuqinë.

Zgjedhjet komunale në katër komunat e veriut do të mbahen më 19 maj pas dorëheqjes së katër kryetarëve të këtyre komunave.