Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka folur rreth përsëritjes së skenave të njëjta në Kuvendin e Kosovës, por edhe në komisione, të cilat dështojnë në seancat e tyre për shkak të mungesës së kuorumit.
Ismet Beqiri gjatë takimit të Komisionit për Integrime Evropiane, ku është diskutuar për Raportin për Vendin për vitin 2019, ka pranuar se problemi më i madh i paraqitur në këtë dokument është mosfunksionimi i Kuvendit, mungesa e kuorumit dhe vonesat e seancave, e cila ndikon negativisht në produktivitetin e Kuvendit.
“Është bërë një lloj refreni i vazhdueshëm çështja e funksionimit të institucioneve tona, flas institucioneve legjislative, Qeverisë, organeve të pavarura që është e meta ose defekti jonë kryesor.
Këtë defekt e kemi të vazhdueshëm të mosfunksionimit ashtu siç duhet të institucioneve tona të pavarura, veçmas krimi dhe korrupsioni, sundimi i ligjit. Është një problem i yni i madh ku duhet të jemi real, sa më shpejt që e kuptojmë këtë që duhet me e krye në këtë drejtim punën ashtu siç duhet atëherë dyert mund t’i kemi të hapura atje ku funksionojmë. Punën e Kuvendit, i shohim agjendat, kurrë nuk kryhet seanca qysh duhet dhe normalisht ne jemi opozitë. Nuk është përgjegjësi e jona të bëjmë kuorumin.
Por, asnjëherë nuk kemi dalë kundër projekteve, marrëveshjeve ato që kanë të bëjnë me integrimin tonë evropian”, tha Beqiri.







