Këshilltari i presidentit Hashim Thaçi, Ismail Syla ka komentuar takimet e sotme me liderët e partive politike në lidhje me çështje me interes kombëtar.

Ai ka thënë se edhe sot u vërtetua fakti që në Kosovë partitë shqiptare shtet-formuese PDK, LDK, AAK, NISMA në vetvete bartin vlera të përbashkëta klasike, duke iu përgjigjur ftesës së presidentit Thaçi për t’u informuar rreth vizitës së tij në Uashington javën e kaluar. “Vlera klasike të partive tona politike, sipas tipologjisë sime, janë njohja e njëra tjetrës, respektimi i ndërsjellë, bashkërendimi i veprimeve, gatishmëria dhe arritja e koncensusit për çështjet jetësore kombëtare, kultura shtetërore, vetëdija e lartë institucionale etj.

Pra, sot partitë parlamentare edhe njëherë treguan vlera klasike”, shkruan Syla në Facebook. Ai ka dhënë edhe një shpjegim sipas gjeniut të prozës argjentinase Jorge Luis B orges për domethënien e fjalës “klasik”, emër ky që përdoret edhe si mbiemër p.sh. “vepër klasike” etj., e që vjen nga kuptimi i fjalës fregatë, anije luftarake e vogël, por e shpejtë.

“Për të qenë e tillë, një anije nuk mund ta ketë tërë botën brenda, por vetëm gjërat elementare, esenciale, të domosdoshmet e të domosdoshmeve. Pra, në fregatë bëhet jetë vetëm me gjërat themelore të jetës.

Edhe një kryevepër artistike është klasike, nëse ka të koncentruar brenda vetvetes jo tërë historinë e njerëzimit, por atë që e përmban e ka tejet solide, me densitet e ngjeshmëri maksimale”, është shprehur Syla.