Në Kazermën e Forcës së Sigurisë së Kosovës ”Adem Jashari” në Prishtinë u rreshtuan sot njësitet ushtarake dhe policore, për të pritur presidentin e Shqipërisë Ilir Meta, i cili u ndau atyre dekorata në shenjë falënderimi për punën e bërë në kërkim-shpëtim pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipëri.
Presidenti i Shqipërisë tha se çdo vend i NATO-s do të ishte i kënaqur me atë që këto njësi kanë dëshmuar javën e kaluar.
Meta falënderoi edhe njësitë nga institucionet e tjera si KEK, Zjarrfikësit e Komunës se Suharekës, Miniera e Trepçës dhe Artanës, të cilëve gjithashtu u ndau dekorata.
Menjëherë pas tërmetit të fuqishëm që goditi Shqipërinë më 26 nëntor, ku dhjetëra persona humbën jetën e qindra mbetën të lënduar e pa shtëpitë e tyre, Kosova ndihmoi vëllezërit shqiptarë me resurse humane, teknike e financiare, në krye me Ushtrinë dhe Policinë e Kosovës. Ata asistuan në kërkim-shpëtimin e personave nën rrënoja pas shembjes së ndërtesave në Durrës e Thumanë.
Për të falënderuar popullin dhe institucionet e Kosovës, presidenti i Shqipërisë Ilir Meti erdhi personalisht në Prishtinë, ku ndau dekorata për njësitet e FSK-së, Policisë së Kosovës, KEK-un, Minierën e Trepçës e Artanës dhe Zjarrfikësit e Komunës së Suharekës.
Në hapësirat e Kazermës “Adem Jashari”, presidenti Meta tha se Kosova duhet të jetë krenare për FSK-në dhe policinë, të cilët demonstruan profesionalizëm të lartë e bashkëkohor.
Presidenti Meta falënderoi të gjithë popullin e Kosovë, dhe udhëheqësit politik për solidaritetin e treguar.
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se shqiptarët janë unikë si asnjëherë më parë, Kosovë e Shqipëri, veri e jug, pozitë e opozitë, që të ngrihen mbi interesat parciale e t’u dalin në ndihmë të gjithë atyre që kanë frikë për të nesërmen.
Ndërsa komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama tha se Kosova po e dëshmon që është e gatshëm të përkrahë fqinjët që është në interes të sigurisë regjionale.
Përveç dekoratave të dhëna nga presidenti i Shqipërisë, në këtë ceremoni, Ramush Haradinaj ndau për Ilir Metën mirënjohjen “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu”, me motivacionin “Forcimin e bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri”./G.Kadrija/







