Kryeministri Avdullah Hoti ka bërë të ditur se ka takuar presidentin e Partive Popullore Evropiane (EPP), Donald Tusk.

Ai thotë se me të krahas zotimit të Qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe forcimin e rendit dhe ligjit, ka biseduar edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe nevojën urgjente për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi, shkruan Reporteri.net.

Postimi i tij:

Gjatë vizitës zyrtare në Bruksel, sot jam pritur në takim nga presidenti i Partive Popullore Evropiane (EPP), Donald Tusk, me të cilin biseduam për prioritetet e Qeverisë së Kosovës, e në veçanti për menaxhimin e pandemisë COVID 19 dhe rimëkëmbjen ekonomike të vendit.

Krahas theksit në zotimin e Qeverisë për luftimin e korrupsionit dhe forcimin e rendit dhe ligjit, biseduam edhe për procesin e liberalizimit të vizave dhe nevojën urgjente për përmbylljen sa më të shpejtë të këtij procesi.

Një ndër çështjet e diskutuara në këtë takim ishte edhe procesi i dialogut me Serbinë, me ç’rast shpreha gatishmërinë e institucioneve të vendit për vazhdimin e dialogut, për arritjen e një marrëveshjeje finale ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila do të rezultojë me njohje reciproke.

Në takim me z. Tusk është vlerësuar lartë edhe roli që ka LDK-ja në të gjitha zhvillimet politike në vend, si parti anëtare e Partive Popullore Evropiane (EPP).