Republika e Kosovës ka ende shumë punë për të bërë për zbatimin e legjislacionit në fuqi, në luftën kundër korrupsionit, ekonomisë jo formale dhe reformën zgjedhore.
Kështu u tha sot në Këshillin Ministror për Integrim Evropian ku u mbajt takimi rreth të gjeturave të raportit të progresit nga Bashkimi Evropian për Kosovën.Kryeministri Ramush Haradinaj theksoi se në këtë raport janë vlerësuar të arriturat dhe ngecjet në fushat e caktuara, por disa angazhime të punës kanë mbetur pa u përfshirë në raport, për këtë duhet një angazhim që të arrijë Kosova statusin e kandidatit në BE.Ai përsëriti se liberalizimi vizitave duhet të ndodhë sa më parë, pasi që disa vende të fuqishme të BE-së përkrahin Kosovën në këtë rrugë të integrimeve evropiane.
Ndërsa, ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, tha se prioritet mbetet integrimi në BE, por është e papranueshme që një numër i konsiderueshëm i rekomandimeve përsëriten nga viti në vit.
Sipas saj, ka mos përmbushje të obligimeve dhe përgjegjësive ligjore nga akterë të caktuar për vonesat e shumta në implementimin e projekteve qoftë për arsye politike apo teknike siç është deponia në Fushë Kosovë.
Ajo më tej tha se Kosova nuk ka kohë për tolerime të tilla, por duhet një angazhim gjithëpërfshirës në përmbushjen e kërkesave brenda afateve.







