Në nderim të 21 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së”, kryeministri i Kosovës Ramush Hatradinaj ka bërë homazhe tek varri i komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari në Prekaz, i cili tha se një familje u shua për t’u ringjallur një popull i robëruar.
“Sot përulemi me respekt në memorial, para varrezave ku pushon komandanti legjendar, heroi i kombit tonë Adem Jashari, njëkohësisht respekti për këtë sakrificë, por edhe në shenjë respekti për sakrificën e të gjithë brezave për liri. Asnjëherë nuk është e tepërt me thënë se një familje u shua në mënyrë që të ngjallet ose të ringjallet një popull i robëruar atëherë. Këtu në Prekaz ka ndodhur kthesa falë të cilës sot jemi të lirë”, kryeministri.
Haradinaj së bashku me kabinetin qeveritar ka vizituar edhe kullën e familjes Jashari ku është pritur nga vëlla i komandantit legjendar, Rifat Jashari. Më 5,6 dhe 7 mars të vitit 1998 është zhvilluar njëra ndër betejat më të rëndësishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ku ka rënë heroikisht komandanti legjendar Adem Jashari dhe anëtarë tjerë të kësaj familje. Për nder të 21 vjetorit të “Epopesë së UÇK-së” sot Kuvendi mban një seancë solemne si dhe në orët e pasdites mbahet një akademi përkujtimore.







