Inovacioni dhe ndërmarrësia janë dinjiteti i njeriut për perspektivë dhe zhvillim ekonomik në Kosovë.
Kështu ka thënë sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, në ceremoninë e hapjes së Javës Globale të Ndërmarrësisë në Kosovë, e cila u mbajt në Kuvendin e Kosovës.Në fjalën e tij para të pranishmëve, Veseli tha se duke përkrahur punësimin e të rinjve, fuqizohet shteti i pavarur dhe sovran i Kosovës.

Veseli tha se duhet punuar dhe investuar në potencialin e të rinjve kosovarë, në mënyrë që ta gjejnë veten dhe të ardhmen në vendin e tyre.
Në funksion të kësaj, Veseli tha se kapacitetet dhe fondet qeveritare në mbështetje të ndërmarrësisë në Kosovë do të rriten, ngase, sipas tij, është jetike që jo vetëm njerëzit të qëndrojnë në vendin e tyre, por edhe idetë e mira dhe projektet që sjellin zhvillim, të cilave duhet krijuar kushte që këtu të gjejnë aplikim.

Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova garon me vendet e zhvilluara për të bërë biznes dhe posedon ligje të avancuara për këtë sektor, por sipas tij, Kosova ka një hendikep mungesën e energjisë elektrike, ngase bizneset humbin qindra milionë euro për mungesë të energjisë.
Kryeministri Haradinaj ka fajësuar edhe Bankën Botërore për mbajtjen peng të projektet të TC Kosova e re. Mirëpo, Haradinaj dhe se ky projekt prej 13 miliardë dollar është në opsion që të realizohet.

Problem tjetër sipas kryeministrit është rendi dhe ligji, korrupsioni dhe mungesa e konkurrencës
Arian Zeka, drejtor i Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë ka thënë se ndërmarrësia duhet të jetë burim i pashtershëm i krijimit të vendeve të reja të punës.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës së Inovacionit të Kosovës (ICK), Uranik Begu, tha se këtë vit me një numër rekord të aktiviteteve, mbi 60 sosh po niset kjo javë në institucionin më të lartë vendimmarrës, në Kuvendin e Kosovës. Një fjalë para të pranishmeve e mbajti edhe Colleen Hyland, e ngarkuar me punë në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë, e cila theksoi rëndësinë e ndërmarrësisë dhe krijimin e kushteve për këtë sektor.