Një grup prej pesë organizatave joqeveritare të rajonit të Mitrovicës kanë akuzuar Komunën e Mitrovicës lidhur me shkeljet në tenderin për projektin ‘Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera’. Ato me këtë rast i bënë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këtë tender për të parë nëse ka elemente të veprës penale.

Gjatë një konference për media, këto pesë OJQ prezantuan raportin e monitorimit të aktivitetit të prokurimit dhe u shpalosën gjetjet në procesin tenderues të projektit ‘Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera’, me vlerë rreth katër milionë euro.

Kenan Beqiri, nga organizata ‘Community Building Mitrovica’, ka përmendur disa shkelje që janë bërë nga Komuna e Mitrovicës në këtë tender, për të cilat tha se nuk janë evidentuar as nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

Sipas tij, këto shkelje kanë bërë që një operator ekonomik të eliminohet nga gara dhe t’i pamundësohet ankesa, ndërsa Komuna e Mitrovicës ka shpërblyer me kontratë operatorin e vetëm që ishte në garë.

Edhe Erzen Isufi, duke folur për shkeljet e bëra në këtë tender, ka potencuar vendosjen e afatit për dorëzim të tenderëve për të cilin tha se është bërë në kundërshtim me Ligjin e prokurimit, pastaj korrigjimi i gabimeve nga ana e Komunës së Mitrovicës, pasi siç u shpreh ai, kjo është bërë në kundërshtim me rregullat dhe udhëzuesin operativ për Prokurimin Publik, si dhe shkelje tjera.
Në anën tjetër, anëtarja e grupit monitorues, Gentiana Zeqiri, i ka bërë thirrje prokurorisë së shtetit që të hetojë këtë tender, për të parë nëse ka elemente të veprës penale.

Ndryshe, organizatat pjesëmarrëse në këtë konferencë dhe të cilat kanë përgatitur raportin, ishin Community Building Mitrovica (CBM), Mundësia, 7 Arte, Civil Development Organisation (CDO) dhe Iniciativa Qytetare nga Skenderaj.

loading…