Edicioni i 9-të i Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – Polip dhe edicioni i debutues i Festivalit Ndërkombëtar të Romanit Grafik -GranFest fillojnë të premten, më 10 maj. E ky i fundit, po konsiderohet të jetë një risi absolute për Kosovën dhe Evropën Juglindore në përgjithësi.
Kështu u bë e ditur në një konferencë për media, për Festivalin Ndërkombëtar të Letërsisë “Polip” dhe Festivalin Ndërkombëtar të Romanit.Jeton Neziraj nga qendra “Multimedia”, tha se festivali Polip sivjet feston 10- vjetorin, ndërsa theksoi se e veçanta e këtij festivali është se këtë vit është pasuruar edhe me Festivalin Ndërkombëtar të Romanit Grafik – GranFest.

Ai tha se këtë vit Polip fokusohet në nocionin e ujdisë letrare dhe botëkuptimeve rreth saj, si një proces negociator artistik, që u mundëson shkrimtarëve e artistëve ballkanik, që me veprat e tyre të shpërthejnë kufijtë e t’i plasojnë vlerat letrare në pjesët e zhvilluara të botës. E artisti Gani Jakupi, foli më shumë për festivalin GranFest, për të cilin tha se është një risi në vete pasi po organizohet për herë të parë në Kosovë.
Ndryshe, disa nga autorët që do të marrin në pjesë e festivalin GranFest janë Hermann, Dave McKean, Frank Margerin, Fumio Obata, Aude Samama, Tom Kaczynski, Marcello Quintanilha dhe Ville Ranta.







