Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, është shprehur se prej 57 mijë qytetarëve me të drejtë vote deri në orën 15:00 kanë votuar 18 mijë e 729 qytetarë, apo 32 për qind.

Kurse, për parregullsitë e raportuara tha se të gjitha do të verifikohen dhe do të shikohet me saktësi se nëse janë personat e njëjtë në listë votuese ato vota do të vlerësohen.

E para e KQZ-së, përmes në një konferencë për media tha se procesi zgjedhor në 44 qendrat e votimit në katër komunat e veriut të Mitrovicës ka shkuar pa ndonjë problem të veçantë.

“Në 44 qendrat e votimit në katër komunat ku po mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar është duke vijuar pa ndonjë problem. Po ashtu ju njoftojmë se deri në orën 15:00 në këto 4 komuna të drejtën e tyre e kanë shfrytëzuar 18 mijë e 729 qytetarë, apo 32.30 përqind…. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti konferencën e tretë lidhur me zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar në katër komuna: Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut. Sipas komunave, iu njoftoj se deri në orën 15:00 në Leposaviq kanë votuar 6003 votues apo 33. 05 përqind, në Zubin Potok kanë votuar 2940 qytetarë, apo 34.45 përqind, në Zveqan 3169 votues apo 34.34 përqind dhe në Mitrovicën e Veriut 6617 votues, apo 30 përqind”, tha kryetarja Daka.

Kurse për raportimet që ka pasur votime familjare, ajo tha se do të verifikohen dhe do të shikohet se nëse janë personat e njëjtë në listë të votuesve ato do të vlerësohen. Daka është pyetur edhe në lodhje me votimin me dokumente të Serbisë për të cilët kanë thënë se nuk janë lejuar.

“Ka pasur disa raportime është e vërtet se disa komisionarët e kanë pasur të qartë se me cilat dokumente lejohet të votohet. Gjithsesi nga KQZ janë njoftuar dhe zyrtarisht kanë marr instruksionet dhe pse i kanë pasur më herët. Por gjithsesi i kanë marr instruksionet se dokumentet valide në Kosovë janë dokumentet e Kosovës. Është sqaruar dhe kjo çështje dhe tashmë nuk kemi atë dilemë. Ndërsa, sa i përket votimeve familjare, nuk e di. Ndoshta pasi të përfundoj procesi do të bëhet vlerësimi. Se shumë shpesh dhe vëzhguesit nuk po e dinë çka është votimi familjar dhe me asistencë…në qoftë se janë personat e njëjtë, nëse është personi që është në listën votuese do të vlerësohen. Ndërsa nëse nuk ka qenë në listë votues nuk janë lejuar të votohen. Ka pasur raste, që edhe pse me dokumente të Serbisë, por nuk kanë qenë në listë votuese dhe nuk janë lejuar të votohen”, shtoi kryetarja Daka.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetarë në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, janë 44 qendra të votimit me gjithsej 87 vendvotime. Kurse, numri i qytetarëve me të drejtë vote në këto katër komuna është 57 mijë e 983 votues apo 970 votues më shumë në krahasim me zgjedhjet lokale të 22 tetorit 2017.