Disa vende të BE-së janë duke luajtur një lojë të dyfishtë dhe nuk duan të arrihet një marrëveshje për Kosovën në të cilët ata nuk janë faktori kryesor, tha ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Në të njëjtën kohë, ai përshëndeti angazhimin e shtuar amerikan në zgjidhjen e çështjes së Kosovës, transmeton KosovaPress.Duke u përgjigjur në pyetjen se çfarë pritet nga vizita e nënsekretarit amerikan për Çështje Politike David Hale në Beograd dhe nëse Uashingtoni ka përparësi në negociata, Daçiq tha se angazhimi i SHBA-së nuk mund të zëvendësojë procesin e bisedimeve, por mund të ndihmojë në zhbllokimin e tij, nëse shfuqizohet taksa ndaj mallrave serbe.

“Shumë delegacione nga SHBA tashmë kanë ardhur, të gjithë shkojnë në Prishtinë dhe kthehen te ne. Sa për neve, ata nuk duhet të vijnë në Beograd, dhe të zgjedhin problemin me Prishtinën për heqjen e taksës dhe ne ecim tutje”, tha Daçiq pas takimit të Komitetit Ndërqeveritar për Bashkëpunim Serbi-Rusi.
“Është e pabesueshme dhe pak e dyshimtë për mua, por unë nuk mendoj se SHBA po luajnë një lojë të dyfishtë, por disa vende evropiane nuk duan që marrëveshja të arrihet shpejt” , shtoi Daçiq.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë të qartë se taksa ndaj mallrave serbe nuk do të hiqet pa njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.