Jetësimi i idesë që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, pamundësohet nga Kushtetuta e vendit. Kjo pasi që të ndodh ndryshimi i kufijve së pari duhet të ndryshohet Kushtetuta, e ndryshimi i saj nuk mund të bëhet pa 2/3 e votave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës dhe pa 2/3 e votave të deputetëve nga pakicat.

Kështu deklaron profesori universitar Mazllum Baraliu, i cili thotë se ideja e korrigjimit të kufijve është e pamundur të realizohet, pasi sipas tij, ka barriera kushtetuese të cilat janë të patejkalueshme.Ai në një intervistë për KosovaPress thotë se ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me shtetin Serb, që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës, pamundësohet nga vetë Kushtetuta.Profesori Baraliu deklaron se idetë e korrigjimit të kufijve ndër vite kanë prodhuar vetëm fatkeqësi, prandaj, sipas tij, kjo ide e korrigjimit të kufijve është e importuar nga qarqet lindore, nga Rusia dhe nga Serbia.Përveç kësaj, Baraliu thotë se që të realizohet një ide e tillë, duhen edhe 2/3 e votave nga deputetët e komuniteteve. Sipas Baraliut, për këtë nuk mund të llogarisin në votat e deputetëve nga Lista Serbe.

Për profesorin Baraliu, deklaratat se Serbia do të jap Luginën e Preshevës pa marrë asgjë, janë iluzione. Madje, ai thotë se kushdo që e njeh Serbinë e dy shekujve të fundit, e di që ajo kërkon territore dhe nuk jep territore.

Baraliu ka folur edhe për dialogun me shtetin serb, ku ka thënë se për ta njohur Serbia Kosovën duhet të ndryshohet komplet klasa politike aktuale në Serbi.

Por, ai thotë se edhe po të ndodh njohja nuk do të kishte stabilizim të marrëdhënieve, pasi sipas tij, shteti serb nuk i zbaton marrëveshjet e arritura.
Kujtojmë se ideja për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën ka dal vitin e kaluar nga presidenti Hashim Thaçi./KosovaPress/