Sindikata e Punëtorëve të Telekomit ka akuzuar politikën për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet sot ndërmarrja publike.
Sindikalistët vlerësojnë se kontrata me Z-Mobile dhe afera “Sim to sim”, rrjeti i njëjtë i njerëzve dhe auditimi i brendshëm janë faktorët kryesorë që kanë çuar ndërmarrjen në këtë gjendje. E falimentimi i mundshëm i kësaj ndërmarrje po vlerësohet të çojë edhe në falimentimin e shtetit.Kështu ka thënë kryetari i Federatës Sindikale të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, gjatë raportimit që bëri të enjten në Komisionin Hetimor Parlamentar në lidhje me gjendjen në PTK dhe Vala, ku bëri të ditur se do të kundërshtojnë me çdo kusht vazhdimin e mundshëm të kontratës me Z-Mobile.

Ai tha se qysh nga viti 2008 gjendja në Telekomin e Kosovës është rënduar, ku ka pasur borde politike varësisht nga koalicionet që ishin në Qeveri.Balaj theksoi se dëmi është i madh sa që prej 80 milionë eurove sa kanë dhënë dividentë më parë, tash e dy vite nuk po mund të japin as 1 milionë euro dividentë për shtetin. Ai tha se nuk kanë larguar punëtorë prej punës, por punëtorëve nuk iu është dhënë punë. Sipas tij, fakti se Z –Mobile zotëron 30 përqind të tregut me vetëm 61 punëtorë, kjo përbën krim të organizuar dhe zhvatje të buxhetit.Për të është e pakuptimtë se si një kompani si ‘Z-mobile’, e cila e ka dërgu Telekomin në gjykatë ndërkombëtare, duke ia marrë 32 milionë euro, të kërkojë që të vazhdojë kontratën me Telekomin. Tha se nuk do ta lejojnë një gjë të tillë.

Balaj theksoi se Telekomi është e vetmja ndërmarrje në Kosovë që i ka dhënë shtetit dividentë dhe nuk ka pasur nevojë që shteti t’i japë asaj. Derisa ka komentuar edhe zërat se Telekomi i Kosovës është në prag të falimentimit.Ai bëri të ditur se deri më tash i kanë dërguar disa lëndë në krime ekonomike.

Në këtë diskutim, nuk munguan pyetjet e deputetëve, ani pse për shumë nga përgjigjet e tyre Balaj foli gjatë raportimit të tij.Kryetari i komisionit, Visar Ymeri, nuk ka përjashtuar mundësinë e falimentimit të Telekomit, në rast se vazhdon një keqmenaxhim i tillë i kësaj ndërmarrje.

Në këtë pikë, Balaj tha se Telekomi i Kosovës ka punëtorë të mjaftueshëm porse për interesa të ndryshme po kontraktohen kompani të ndryshme të cilat kushtojnë shumë, për të kryer punët që mund t’i bëjnë punëtorët e Telekomit.Ndërsa shtoi se janë punësuar njerëz në baza partiake, pa pasur njohuri profesionale.Kompanitë që shesin në emër të Telekomit, Balaj tha se nuk i duhen ndërmarrjes aspak. Sipas tij, marrëveshja e nënshkruar me Z-Mobile se gjoja ajo po e fal borxhin, por për 8 vjet do të marrë shërbime nga Telekomi, që siç tha ai, i bie që rreth 126 milionë euro i ka humbur Telekomi.Deputeti Shkumbim Demalijaj nga AAK-ja pyeti se a do të falimentojë Telekomi.

Kurse, deputeti i LDK-së, Armend Zemaj, u shpreh se ato që dëgjuan sot shërbejnë në qartësimin e pasqyrës për gjendjen në Telekomin e Kosovës. Sipas tij, punëtorët duke mbrojtur interesat e tyre, e ruajnë edhe kompaninë.