Familjarë, miq e aktivistë të Vetëvendosjes sot kanë bërë homazhe pranë varrit të Arben Xheladinit, aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje që u vra para 12 vitesh në protestat e 10 shkurtit të vitit 2007.
Në këtë demonstratë, ku qytetarë e aktivistë protestuan kundër negociatave me Serbinë, humbi jetën edhe Mon Balaj, ndërsa, u lënduan dhjetëra të tjerë.Babai i Arben Xheladinit, Shaban Xheladini tha se qeveria ende nuk e ka zbardhur rastin, në të cilin humbën jetën i biri i tij dhe Mon Balaj.Shaban Xheladini po ashtu tha se aktivistët e vrarë nuk i mbrojti as Hashim Thaçi.
Shaban Xheladini tha se i biri i tij Arbeni qysh në moshën nëntë vjeçare kur kishte parë dhunën që po ushtrohej ndaj studentëve, nuk ishte ndarë nga protestat.
Përndryshe, sot janë bërë 12 vite që nga protesta e 10 shkurtit 2007, ku humbën jetën dy persona, u lënduan dhjetëra të tjerë dhe u arrestuan disa aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.
Gjatë ditës së sotme, Lëvizja Vetëvendosje do të bëjë homazhe edhe pranë varrit të Mon Balajt në Podujevë.







