Këto ditë u lansua logoja e 11 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, në të cilin shihet figura e një burri në qëndrimin gatitu, me mbishkrimin “Kosova, nder dhe detyrë.”
Kjo i ka shtyrë disa aktivistë të të drejtave të njeriut që ta modifikojnë logon, në shenjë pakënaqësie.Me idenë e Teuta Hoxha Jahajt, dizajneri Isuf Shala vendosi figurën e gruas pranë logos së 11 vjetorit.Aktivistja për të drejtat e njeriut, Teuta Hoxha-Jahaj, ka thënë për KosovaPress, se logoja aktuale është diskriminuese.
“Ideja për modifikimin e logos më erdhi me të parë logon zyrtare të 11 vjetorit të pavarësisë, logo tejet diskriminues që nuk përfaqëson barazinë në shoqërinë tonë, me vet simbolin e burrit në të dhe me tekstin, duke harruar totalisht punën dhe nderin që gratë dhe vajzat e Kosovës po na sjellin, logjikë kjo tejet e gabuar e përzgjedhësve të logos”, ka thënë Hoxha Jahaj për KosovaPress.
Ajo ka thënë se si e tillë logoja është e papranueshme, sepse mohon punën e grave e vajzave në shoqërinë kosovare.Njëherësh, përmes logos së modifikuar, aktivistët kanë dashur të përçojnë edhe një mesazh për qeverinë.







