Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka folur lidhur me aksidentin që ka ndodhur në Gjilan, ku sipas informacioneve bëhet fjalë për një të vdekur dhe dhjetë të lënduar.

Ai ka bërë të ditur se ka folur menjëherë pas aksidentit me kryetarin e Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri dhe se është bërë e ditur se situata është nën kontroll.”Është një aksident me përmasa të mëdha. Kam diskutuar me kryetarin e Komunës. Situata është nën kontroll dhe do të qëndrojmë afër në këtë rast”, tha Haradinaj.

Ndërsa, deputeti Zenun Pajaziti, ka kërkuar të dihet nëse qeveria ka ofruar ndihmë për këtë rast. Sipas informatave të para, një person ka vdekur, ndërsa 10 janë lënduar gjatë një aksidenti në Gjilan, si pasojë e dështimit të frenave të një kamioni. Pos dëmeve në njerëz, ka edhe dëme të mëdha materiale, ku janë përfshirë dhjetëra vetura dhe dëmtim i pronës publike.

Kryetari Haziri menjëherë pas këtij rasti ka aktivizuar mekanizmat emergjentë, duke përfshirë të gjithë drejtorët e drejtorive dhe në bashkëpunim me policinë, prokurorinë dhe organet tjera, po e menaxhon situatën.