Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar rreth raportimit të mediave në rastin e rënies nga ndërtesa të një vajze e cila humbi jetën dje, dhe të vdekjes së pacientes me Covid-19, e cila ishte shtatzënë.

AGK ka shprehur shqetësim për publikimin e identitetit, dhe fotografisë së viktimave, në disa portale online.

Në reagimin e Asociacionit thuhet se forma të tilla të raportimit janë shkelje e kodit Etik, ligjit për mbrojtjen e të dhënave personave dhe shkelje e të drejtave të njeriut.

“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është duke përcjellur me vëmendje raportimet e fundit rreth rastit të vdekjes së vajzës si rrjedhojë e rrëzimit nga ndërtesa dhe vdekjes së gruas shtatzënë si pasojë e infektimit nga virusi COVID 19.AGK shpreh shqetësim për publikimin identitetit dhe fotografisë së viktimave në disa portale online. Kjo formë e raportimit, është shkelje e Kodit Etik, ligjit për mbrojtjen e të dhënave personale dhe shkelje e të drejtave të njeriut”, thuhet në reagim.

AGK ka kërkuar nga kolegët gazetarë që në këto raste të ndjeshme mos të zbulojnë identitetin e viktimës.

“AGK kërkon nga kolegët gazetarë që, në raste të ndjeshme si këto të mos zbulojnë identitetin e viktimës por edhe gjatë raportimit për raste të tjera, si dhe t’u përmbahen kritereve profesionale dhe etikës së gazetarisë”, thuhet tutje në reagim.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka shtuar se mbështet vetëm punën profesionale të gazetarëve e cila bazohet në respektimin e standardeve dhe kritereve profesionale, duke inkurajuar informimin objektiv dhe të saktë për publikun.