Një tokë në Fushë Kosovë është bërë mollë sherri në mes të dy familjeve. Të dy familjet pretendojnë se kanë të drejtë në këtë tokë të cilën e kanë blerë nga një serb.
Madje ky i fundit është sulmuar fizikisht nga njëri nga personat që pretendon se toka i takon atij.Policia e ka arrestuar personin në fjalë ndërsa të enjten prapë ka pasur konflikt në mes familjeve Sylkaj dhe Bekteshi.Selim Sylkaj vitin e kaluar është kthyer nga Suedia, vendin në të cilin po jetonte me vjet, për të investuar në Kosovë. I njëjti është interesuar edhe për blerjen e një toke në Fushë Kosovë, për të filluar punimet. Sylkaj tregon për KosovaPress se ka bërë marrëveshje për blerjen e kësaj toke, me serbin Millosh Zhivkoviq, tokë kjo në të cilën aktualisht është duke punuar dikush tjetër.
Ai zotohet që ka dokumente që kjo tokë prej dy hektarësh është e tij, dhe se ka fletën poseduese. Serbi Zhivkoviq thotë se i kishte thënë se e kishte fituar kontestin gjyqësor, dhe se kjo tokë është e tij. Për çka pala tjetër, sipas tij, e kishte rrahur serbin, të shtunën.
Sylkaj thotë se nëse pala tjetër nuk e liron pronën sot, do të vijë me makineri të rëndë dhe do të fillojnë punën.
Pavarësisht akuzave të Sylkaj, ndryshe thotë Fahri Bekteshi, i cili aktualisht është duke punuar në këtë tokë. Ai për KosovaPress tregon se nga kush i kishte blerë dy hektarët, 18 vite më parë. Tutje thotë se ky rast është në kontest gjyqësor që pesë vjet me serbin.I njëjti mohon ta ketë rrahur të shtunën serbin, i cili pretendon të jetë pronar i tokës. E gjithë kjo sipas tij është një mashtrim nga ai, për çka thotë se edhe ia ka shitur tokën disa personave.
Bekteshi thotë se qe pesë vjet po pret të merret një vendim nga Gjykata e Apelit, meqë është në kontest gjyqësor. Në rast se merret vendim për të liruar pronën, thotë se do ta lirojë.
Për rastin e rrahjes ka raportuar edhe Policia e Kosovës. Në raportin 24 orësh të Policisë thuhet: “Është arrestuar i dyshuari mashkull K-Shqiptar pasi që i njëjti pas një mosmarrëveshje rreth një prone ka sulmuar fizikisht viktimën mashkull-serb shtetas i Serbisë me ç’ rast i ka shkaktuar lëndime trupore. Viktima ka pranuar tretman mjekësor. Njësiti policor gjatë kontrollit në trupin e të dyshuarit ka gjetur dhe konfiskuar një armë me një karikator dhe 13 fishekë. Lidhur me rastin janë intervistuar edhe katër persona meshkuj K-Shqiptar. Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje”, thuhet në raport.Të enjten në pronën për të cilën po thuhet se është e kontestuar ka qëndruar edhe Policia e Kosovës, për parandalimin e ndonjë incidenti në mes të këtyre dy palëve.







