Për 20 vjet me radhë, përveç se nuk u përmenden as në bisedimet me palën serbe, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, nuk u njohën as edhe nga vet shteti. Me vite të tëra, u zvarrit edhe procesi i njohjes ligjore e publike i tyre. Hiç më seriozisht nuk po trajtohen edhe pas tërë këtyre viteve, kur po thuhet se viktimat e dhunës seksuale do të jenë pjesë e platformës së dialogut me Serbinë.
Ndonëse, edhe si tematikë u përfshi e fundit në platformën e dialogun me Serbinë, ekipi negociator nuk ja ka idenë ende se çfarë mekanizmi do të trajtojë çështjen e viktimave të dhunës seksuale. Të paktën, kështu po thonë deputetë të opozitës.Ata që nuk përkrahën nga fillimi ligjin për dialogun, po thonë se përfshirja e viktimave të dhunës seksuale në platformën e dialogut, po bazohet më shumë në suaza dëshirash.Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani për KosovaPress thotë se ky ekip negociator nuk ka asnjë plan se si do të shqyrtohet kërkesa e reperacionit apo përfshirja e tyre në mekanizma ndërkombëtarë.E sa i përket kësaj, Osmani thotë se Kosovës i duhet një plan, në lidhje me reparacionin, e kërkuar nga ana e Serbisë. Por, ndryshe thotë bashkëkryesuesi i dialogut, Shpend Ahmeti.
Ai zotohet se do të kenë kërkesa specifike, drejtuar palës serbe. Megjithatë, ani pse është shumë pranë faza përmbyllëse e dialogut, kërkesa të tilla ende nuk janë të specifikuara.Ahmeti përmend mekanizma të mundshëm, në të cilat do të mund të trajtohet kjo kategori, por ende nuk dihet se cili do të jetë ky mekanizëm.
Në anën tjetër, Ahmeti shprehet i bindur se nuk do të ketë amnisti për dhunuesit.
E, përfshirja e kategorisë më të ndjeshme të luftës (viktimave të dhunës seksuale), në këtë platformë dialogu, është bërë edhe me vonesë.Një gjë të tillë e thotë për KosovaPress, vet drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti.Rushiti mes tjerash për KosovaPress ka numëruar kërkesat e QKRMT-së drejtuar ekipit negociator, në trajtimin e viktimave të dhunës seksuale në bisedimet me palën serbe.
Drejoresha e QKRMT-së, thotë se ende nuk dihet se kjo çështje a është përmendur ndonjëherë në Bruksel, ngase dialogu deri më tani nuk ka qenë transparent fare për shoqërinë.
Ajo ka uruar që ky ekip negociator gjatë dialogut më Serbinë, ta përfaqësojë seriozisht zërin e rreth 20 mijë viktimave të dhunës seksuale.E, profesori Behlul Beqaj vlerëson se përfshirja e kategorive të dala nga lufta, do t’i legjitimojë ata, që të njëjtit të jenë insistues në përpjekjen që të mos ndodh korrigjimi i kufijve.Në platformën mbi të cilën do të zhvillohet dialogu Kosovë-Serbi, janë hartuar 11 parime, e njëra ndër to është edhe çështja e të pagjeturve, viktimat e dhunës seksuale dhe reparacionet.
Për viktimat e dhunës seksuale, thuhet se Kosova do të kërkojë drejtësi, rehabilitim dhe dëmshpërblim për vuajtjet denigruese dhe çnjerëzore të shkaktuara nga Serbia gjatë luftës së fundit në Kosovë.Ndërkaq, kjo platformë dhe ligji për dialogun, janë miratuar në Kuvendin e Kosovës gjatë këtij muaji, me 58 vota për dhe tri abstenime.







