Jamal Khashoggi

E vërteta tmerruese e vrasjes së gazetarit arab: Derisa e coptonin, vrasësit dëgjonin muzikë

Arabia Saudite pranoi që bashkëpunëtori i gazetës “The Washington Post”, Jamal Kashoggi, ka vdekur. Mediat shtetërore saudite thanë se Kashoggi vdiq pas një zënke në konsullatën saudite në Stamboll, dhe njoftuan se do të zhvillohen hetime.

Presidenti Donald Trump u tha gazetarëve në Arizona se ky është një hap i parë i madh. Ai shtoi se ekzistojnë megjithatë pikëpyetje të tjera për sauditët dhe se do të bashkëpunohet me Kongresin për këtë çështje.

Organizata e të drejtave të njeriut “Amnesty International” i bëri thirrje Arabisë Saudite të dorëzojë trupin e gazetarit Khashoggi, në mënyrë që të kryhet menjëherë autopsia. Raportet fillestare treguan se zoti Khashoggi u vra më datë 2 tetor.

Arabia Saudite ka pranuar vdekjen e gazetarit Jamal Khashoggi dhe njoftoi se Princi i Kurorës, Mohammad bin Salman, do të udhëheqë hetimin një-mujor. Qeveria saudite tha se ka shkarkuar pesë zyrtarë të lartë dhe ka arrestuar 18 sauditë të tjerë si pasojë e hetimeve fillestare. Ndër të shkarkuarit është Saud al-Qahtani, një këshilltar i afërt i princit, si dhe zëvendës drejtori i shërbimit të zbulimit, Gjeneral Major Ahmed al-Assiri.

Në anën tjetër, policia turke ka theksuar se 15 persona kanë marrë pjesë në maltretimin dhe vrasjen e Kashoggit dhe se askush nuk e ka marrë në pyetje, por ai është vrarë me paramendim, transmeton Ballkani.info.

Vrasja e tij ka zgjatur shtatë minuta, thekson një burim anonim i cili thotë se e ka dëgjuar video inizimin e momenteve të fundit të Kashoggit, i regjistruar në orën e tij “Apple” menjëherë pasi ka hyrë në konsulatë me 2 tetor.

Në video dëgjohet se si nga zyra e konsullit të përgjithshëm e dërgojnë në një hapësirë ngjitur ku mbi tavolinë e kanë prerë kirurgjikisht, shkruan “Daily Mail”.

Thuhet se janë dëgjuar bërtimat e tij, para se t’i jepet një lloj i injeksionit, ku më pas gjithka ka rënë në heshtje.

“Nuk ka pasur tentim që të merret në pyetje. Erdhën që ta vrasin”, ka thënë burimi.

Burimi gjithashtu ka thënë se dëshmitarët poshtë e kanë dëgjuar Kashoggin duke bërtitur, derisa e coptonin për se gjalli dhe se vrasësit nga Arabia Saudite kishin vënë dëgjuese në vesh gjatë kryerjes së aktit makabër, transmeton Ballkani.info.

Njëri nga 15 burrat nga Arabia Saudite, të cilët janë përshkruar si pjesëtarë të njësitit vrasës, është identifikuar si “ekspert i forenzikës” Salah Muhamad al-Tubaigi.

Burimi ka thënë se ai ju ka thënë vrasësve tjerë: “Kur e bëj këtë punë, dëgjoj muzikë. Edhe ju duhet ta bënit të njëjtën gjë”. /Ballkani.info/