E vërteta poshtëruese e Putinit

Nga: Samantha de Bendern

Maji tradicionalisht është muaji i festimeve publike në Rusi, me procesionet masive publike më 1 Maj për Ditën e Punës dhe me paradat ushtarake më 9 Maj për Ditën e Fitores – një festë që e përkujton fitoren sovjetike ndaj Gjermanisë naziste. Nuk do të jetë kështu për vitin 2023. Sindikata më e madhe e Rusisë i anuloi demonstratat e saj tradicionale të Ditës së Punës, për shkak të “rrezikut të rritur të aktivitetit terrorist”, ndërsa rajonet pranë kufirit ukrainas i anuluan paradat e Ditës së Fitores për të “mos e provokuar” ushtrinë ukrainase.

Qeveria ruse i ka paralajmëruar njerëzit, në të gjithë vendin, që në Ditën e Fitores të qëndrojnë larg instalimeve ushtarake, ndërsa Regjimenti jashtëzakonisht popullor i Pavdekshëm – një ngjarje kjo gjatë së cilës në mbarë Rusinë qytetarët e zakonshëm marshojnë me portretet e të afërmve që vdiqën në Luftën e Dytë Botërore – u zhvendos në internet.

Kërcënimi “terrorist” gjoja vjen nga Ukraina – mediat ruse më 24 prill raportuan se një dron i rrëzuar ukrainas u gjet 30 kilometra (20 milje) larg nga Moska – por, duket e vështirë të pranohet se mbrojtja ajrore e Rusisë nuk mundet ta garantojë sigurinë e qiejve të Moskës gjatë festës më të madhe patriotike të vitit në vend, veçanërisht në kohën kur Putini ka ngjallur ndjenjat nacionaliste ruse për ta shtuar mbështetjen për luftën e vet në Ukrainë.

Një sulm ukrainas me dron, në Sheshin e Kuq – gjatë paradës ushtarake të Ditës së Fitores – do të ishte poshtërues për Putinin, por duket se ai më shumë është i shqetësuar për poshtërimin e mundshëm të mijëra civilëve që marshojnë me portretet e djemve dhe të burrave të rënë në Ukrainë. Derisa shifrat zyrtare ruse kanë treguar për më pak se 6,000 viktima ushtarake në Ukrainë, Ukraina pretendon se janë vrarë rreth 150 mijë persona nga personeli ushtarak rus. Edhe vlerësimet më konservatore perëndimore lëvizin te shifra 60 mijë – më shumë se trefishi i 15 mijë trupave sovjetike të vrarë në luftën dhjetëvjeçare afgane.

Paradat e Ditës së Punës vijnë me një rrezik. Përkundër anulimit të ngjarjeve zyrtare, më 1 Maj u zhvilluan disa tubime të vogla sporadike në qytetet e mbarë Rusisë, ku disa njerëz dolën me pankartat kundër luftës. Në Shën Petersburg, një burrë 76-vjeçar u arrestua pasi mbante një tabelë me sloganin tradicional të Ditës së Majit – “Paqe, Punë, Maj” – me një simbol të shtuar “Z”, me një shenjë të kuqe në të. Në Ekaterinburg thuhet se një grua u arrestua me pankartën me mbishkrimin e një tjetër slogani tradicional të Ditës së Majit – “Paqe për Paqen”.

Ndalimi i ngjarjeve publike, gjatë festave të majit, ka më pak gjasa të jetë për shkak të shqetësimit për sigurinë e qytetarëve, dhe kjo më shumë ka të bëjë me obsesionin paranojak të Putinit për ta mbyllur çdo kanal për kritikat ndaj luftës së tij – edhe nëse mbështetja e hapur për Ukrainën është e vogël dhe nëse kërcënimi i kryengritjes popullore është ende shumë i largët.

Në të njëjtën kohë kur paraprakisht protestat publike po shtypen, mospajtimet dhe konfliktet vazhdojnë të rriten nëpër qarqet ushtarake. Në një intervistë 90-minutëshe me një bloger ushtarak, më 29 prill, Yevgeny Prigozhin – udhëheqësi de fakto i kompanisë ushtarake private Wagner – vajtoi për gjendjen katastrofike të ushtrisë ruse dhe tha se “ka ardhur koha kur duhet të ndalojmë së gënjyeri popullsinë e Federatës Ruse, duke thënë se gjithçka është në rregull”. Në mënyrë sarkastike, luftën në Ukrainë ai e quajti “i ashtuquajturi operacion special ushtarak” – si një kritikë e fshehtë ndaj ndalesës së Putinit për përdorimin e fjalës luftë në përshkrimin e ngjarjeve në Ukrainë. Prigozhini gjithashtu e kritikoi Ministrinë e Mbrojtjes – për ndalesat e municioneve – dhe kërcënoi se do t’i largojë njerëzit e vet nga qyteti ukrainas i Bahmutit, të cilin për rresht nëntë muaj Rusia po përpiqet ta zaptojë, transmeton Telegrafi.

Konfliktet nuk po shfaqen vetëm mes ushtrive private të Rusisë dhe të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe mes vetë ushtrive private. Më 25 prill, ushtarët nga ushtria private e Gazpromit, Potok, ia dërguan një video Putinit duke u ankuar se ishin transferuar në një ushtri tjetër private (Redut) dhe më pas ishin kërcënuar nga ushtarët e grupit Wagner të cilët thanë se do t’i qëllonin nëse tërhiqen nga pozicionet e veta. Në fillim të prillit, u zhdukën ushtarët e mobilizuar nga ushtria e rregullt në rajonin e Luhanskut (në Ukrainën e pushtuar nga Rusia), pasi u thanë të afërmve se nga komandanti i tyre ishin shitur te grupi Wagner. Kur Prigozhino e denoncon gjendjen katastrofike të ushtrisë ruse, ai e di se për çfarë po flet.

Blogerët nacionalistë ushtarakë rusë, që janë pro-luftës, gjithashtu po e kritikojnë Putinin. Më i njohuri prej tyre është Igor Girkini (AKA Strelkov), i cili haptas e dënon mungesën e vendosmërisë së Putinit për ta përdorur fuqinë e plotë ushtarake të Rusisë në Ukrainë dhe njëkohësisht e zhvillon një betejë fjalësh – tash për tash – me Prigozhinin. Më 2 prill, kur një bloger tjetër famëkeq ushtarak, Vladlen Tatarsky, u vra nga sulmin me bombë në një kafene në Shën Petersburg, në pronësi të mëparshme të Prigozhinit, qeveria ruse i fajësoi “terroristët” ukrainas. Prigozhini deklaroi se sulmi ndoshta ishte shkaktuar nga përleshjet e brendshme mes atyre që ai i quan rusë radikalë.

Putini nuk ka reaguar publikisht ndaj asnjërit prej blogerëve ushtarakë apo të ushtrive private – të gjithë këta burra të armatosur dhe të dhunshëm – të cilët e kritikojnë mënyrën se si po zhvillohet lufta. Por, të ecësh me një tabelë kartoni që bën thirrje për paqe, kjo mund të çojë në arrestim të përkohshëm, ndërsa të qenit intelektual kundër luftës mbart rrezikun e dënimit me 25 vjet burg.

Rusia nuk është në prag të ndonjë revolucioni popullor, por Putini ende ndihet shumë i kërcënuar nga protestat publike kundër luftës, për çfarë e shtyp shenjën e parë të mospajtimit paqësor civil. Kjo bën me dije për frikën kryesore për ta shfaqur dobësinë të cilën kritikët e tij të armatosur mund ta shfrytëzojnë. Mesazhi kryesor këtu është i qartë: nëse doni të jeni të sigurt në Rusinë e sotme, mbajeni një armë. Apo, edhe më mirë: krijojeni një ushtri private. Kjo do t’i shtojë shanset e juaja për ta mbijetuar ditën kur do të bie njeriu i fortë.