E turpshme: Mjeku ik nga kujdestaria në QKUK për të punuar në spital privat

Anesteziologu Kemajl Gashi ishte mjek kujdestar në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK më datën 8 korrik të këtij viti.
Por Gashi e la kujdestarin për të shkuar në një spital privat.

Këtë informacion e ka konfirmuar edhe Inspektorati Shëndetësor, i cili e zbuloi anesteziologun dhe e gjobiti me 1 mijë euro.

“Pas informacioneve dhe dyshimeve të bazuara se një profesionist shëndetësor në rastin konkret Dr Kemaj Gashi, ka qenë i përcaktuar kujdestari në Klinikën e Gjineklogjisë me Obstettrikë dhe të njëjtën ditë ka ofruar shërbimin shëndetësor në një institucion shëndetësor privat, Inspektorati Shëndetësor të njëjtën ditë pra, me datë 08.07.2021 ka kryer inspektim specifik në Spitalin Privat Shëndetësor dhe ka konstatuar përmes dokumentacionit shëndetësor (fletës së anestezionit ) se i njëjti kishte kryer intervenim kirurgjik nga ora 09:00-9:30 tek pacienti me inicialet B.G”, thuhet në përgjigjen e kryeinspektorit Shaban Osmanaj.

Ai ka shtuar se edhe Klinika e Anestezionit ia ka konfirmuar zyrtarisht se Gashi ka qenë kujdestar këtë ditë.

Gazeta Shneta ka mësuar se Gashi është kapur duke punuar në spitalin ‘Bahceci’ në Prishtinë.

Për këtë shkelje ai është gjobitur me një mijë euro, ndërsa është kërkuar të merren masa edhe nga QKUK.