Dhuna në familje vazhdon të mbetet një nga damkat më të mëdha të shoqërisë kosovare. Çdo ditë në Polici raportohen raste ku vajzat dhe gratë dhunohen në forma të ndryshme nga personat me të cilët kanë zgjedhur të ndajnë jetën me ta, por edhe nga anëtarët e tjerë të familjes, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë është regjistruar në Pejë, ku një grua ka shpëtuar për mrekulli pasi është sulmuar me thikë nga bashkëshorti i saj. Sipas burimeve të besueshme nga Prokuroria e Shtetit, ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 06 nëntorit 2025, rreth orës 23:00, në rrugën “Gjin Gazuli”.

Viktima A.G., rreth 33-vjeçare është dërguar fillimisht në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm të Pejës, ku i është ofruar ndihma mjekësore për lëndimet e marra dhe më pas është intervistuar në stacionin policor. Ajo ka deklaruar se jeton në bashkësi martesore prej shtatë vitesh me të dyshuarin V. S., rreth 35-vjeçar dhe tre fëmijët e tyre, por se dhuna dhe konfliktet kanë qenë të vazhdueshme që nga fillimi i martesës.

Sipas dëshmisë së saj, natën kritike i dyshuari ishte kthyer në shtëpi nën ndikimin e alkoolit dhe pas një debati verbal e kishte sulmuar fizikisht, duke i vendosur thikën në fyt dhe më pas e kishte goditur me të në dorën e majtë.

Pas raportimit të rastit, policia ka ndërmarrë veprimet e menjëhershme dhe ka arrestuar të dyshuarin mëngjesin e 07 nëntorit 2025, rreth orës 10:00, i cili pas intervistimit është dërguar në mbajtje për 48 orë me aktvendim të Prokurorit të Shtetit.

Ndaj tij është iniciuar procedurë hetimore për veprën penale “Dhuna në familje”, ndërsa viktima është strehuar përkohësisht në shtëpinë e prindërve të saj, derisa hetimet vazhdojnë për sqarimin e plotë të rastit.