Vushtrri

E rrënojnë urën mbi lumin Llap në fshatin Stanovc i Ulët, ankohen banorët

Ura e ndërtuar nga vet banorët e fshatit Stanovc i Ultë, në Komunën e Vushtrrisë, mbi lumin Llap është rrënuar nga operatori i cili e ka bërë rregullimin e shtratit të këtij lumi.

Banorët e fshatit, janë duke u ankuar pasi nuk kanë rrugë alternative më të shkurt për të kaluar në anën tjetër të lumit.

Banori i këtij fshati Besim Duraku, në emisionin “Zyra e Ankesave”, në RTV Dukagjini ka shprehur shqetësimin e tij duke thënë se kompania që e ka rrënuar urën ka marr përgjegjësi ta rregulloj, por nuk e ka rregulluar siç duhet sepse sërish është rrënuar.

Duraku tha se kjo urë ka një muaj që është në këtë gjendje, dhe se kanë marr premtime dhe nga kryetari i komunës, mirëpo nuk është bërë asgjë.

“Kompania që e ka rrëzuar urën ka marr përgjegjësi që ta rregullojnë. E kanë rregulluar dhe prapë është rrëzuar. Që një muaj ura është në këtë gjendje. Kryetari i komunës na ka premtuar por asgjë s’është bërë. Problemi është politik, veç pse lagja është me PDK nuk interesohen me ndreq”, ka thënë Duraku.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tregoi se operatori që e ka rregulluar shtratin e lumit Llap, e ka rrëzuar këtë urë e cila është ndërtuar me vetiniciativë të banorëve të fshatit.

Tahiri tha se kanë filluar procedurat për konfiskimin e sigurimit të kontratës, ndaj operatorit i cili nuk e ka kryer punën siç duhet.

Tahiri premtoi së do të fillojnë me procedurat për ta rregulluar urën në fshatin Stanovc i Ultë.

loading…


loading...