Policia e Kosovës, përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se dje kanë arrestuar pesë persona në një lokal të lojërave të fatit.

Lokali ishte mbyllur disa ditë më parë nga Administrata Tatimore e Kosovës, por kjo nuk i ka penguar pronarin dhe punëtorët e lokalit që ta rihapin atë, transmeton Ballkani.info.

Zyrtarët policorë, pas daljes në vendin e ngjarjes kanë arrestuar punëtorin e këtij lokali dhe katër persona të tjerë që kanë qenë prezent në lokal. /Ballkani.info

Njoftimi i plotë:

Me datë 28 mars 2019 Policia e Kosovës, konkretisht njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë ka pranuar informatën se një lokal i lojërave të fatit është duke ushtruar veprimtarinë e saj edhe përkundër faktit së ishte mbyllur ditë më parë.

Si rezultat i operacionit policor të realizuar ditë më parë, lokali i lartëcekur i cili ndodhet afër rrethit të QMI-së, saktësisht tek udhëkryqi Prishtinë – Ferizaj – Lipjan ishte mbyllur nga zyrtarët e ATK-së.

Me rastin e pranimit të informatave se i njëjti lokal i lojërave të fatit përsëri është duke zhvilluar veprimtarinë e saj, në vendngjarje kanë dalë zyrtarët policor të rendit publik dhe të drejtorisë kompetente, të cilët kanë bërë arrestimin e (5) personave, prej tyre (1) punëtor dhe (4) persona të tjerë që ndodheshin në lokalin e lojërave të fatit.

Në bashkëpunim me zyrtarët e ATK-së, lokali është ri-mbyllur.

Me aktvendim mbi ndalim nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë të gjithë personat e arrestuar janë dërguar në qendrën e mbajtjes për 48 orë.