Rottweiler

E rëndë: Qentë e familjes mbysin vajzën 10-muajshe në ShBA

Një foshnjë 10-muajshe, e lënë për pak kohë pa mbikëqyrjen e babait të saj në shtëpinë e tyre në Karolinën Veriore, është mbytur të martën në mbrëmje nga dy qen të kësaj familjeje. Qentë që e sulmuan foshnjën janë të racës Rottweiler.

Babi i vajzës dëgjoi një zhurmë pasi kishte dalë nga shtëpia për t’ia ndërruar vendin pajisjes për ujitjen e oborrit, tha kapiteni i policisë, Danny Johnson. Babai i vajzës, i cili gjithashtu punon si oficer i sundimit të ligjit, hyri në shtëpi dhe e gjeti foshnjën pa shenja jete.

Policia tha se oficerët u munduan që t’i jepnin ndihmë mjekësore vajzës së vogël, por nuk patën sukses, shkruan CNN.

Komandanti i policisë lokale, Steve Bizzell, tha se foshnja u sulmua nga dy kafshët shtëpiake të familjes – qentë e racës Rottweiler.

Pas këtij rasti, kapiteni Johnson deklaroi: “Sa herë që një fëmijë i vogël si ajo apo cilido fëmijë vdes, është shumë vështirë për të gjithë ne, sepse ne të gjithë kemi fëmijë.”

Nuk është e qartë nëse babai i foshnjës do të përballet me akuza nga autoritetet për këtë rast.

Qentë që e sulmuan foshnjën janë marrë nga autoritetet dhe janë dërguar në një qendër ndalimi për kafshë. Kapiteni i policisë tha se nuk është në dijeni për ndonjë ankesë të mëhershme rreth këtyre qenve.

(Shënim: Fotoja e lajmit është përdorur vetëm për ilustrim. Në të nuk është paraqitur viktima.)