E rëndë: Pacienti vret me bombol oksigjeni të moshuarin me Covid në dhomën e spitalit

Jesse Martinez, 37 vjeç është akuzuar për vrasje pas incidentit që ndodhi në Spitalin e Luginës së Antilopës në Lancaster, në jug të Kalifornisë, javën e kaluar.

I dyshuari dyshohet se u bezdis kur një 82-vjeçar filloi të lutej në dhomën e spitalit që ndanin së bashku dhe më pas ka goditur viktimën me bombolën e oksigjenit, raporton ABC7.

Martinez dhe viktima po trajtoheshin për Covid-19 në të njëjtën dhomë spitali, por nuk e njihnin njëri-tjetrin sipas Departamentit të Sherifit të Qarkut të Los Angeles.

Policia e Los Anxhelosit tha në një deklaratë: “I dyshuari u mërzit kur viktima filloi të lutej. Ai më pas e goditi viktimën me një bombol oksigjeni. Viktima u shpall i vdekur më 18 Dhjetor, 2020 rreth orës 10:20 të mëngjesit. Viktima dhe i dyshuari nuk e njihnin njëri-tjetrin.”

I dyshuari është arrestuar dhe akuzuar për vrasje dhe abuzim me të moshuarit konfirmoi policia, ndërkohë që hetimet po vazhdojnë.