Rritet siguria

E premtja e Ushtrisë: Institucionet në gatishmëri të plotë për të parandaluar skenarët serbë

Kosova pritet që të premten të bëhet me Ushtri, pasi që Kuvendi do të votojë pas leximit të dytë të tri projektligjeve që FSK-së e shndërrojnë në Forcë të Armatosur.

E premtja pritet të jetë festë në të gjithë Kosovën, duke marrë parasysh se qytetarët e kanë pritur me padurim formimin e Ushtrisë.

Votimi në Kuvend do të ndodh në orën 10, ndërsa ceremonia festive është paraparë për në orën 17 në Kazermën “Adem Jashari” dhe në Ministrinë e FSK-së.

Në këtë ceremoni do të ketë pritje shtetërore për institucionet vendore dhe kontribuuesit e këtij procesi të gjatë.

Mirëpo, institucionet sigurisë pritet që të premten të jenë në gatishmëri të plotë.

Ballkani.info merr vesh se tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet që Policia dhe shërbimet tjera të shtetit të jenë në gjendje gatishmërie, në mënyrë që ndonjë skenar i përgatitur nga Serbia apo nga qarqe tjera të mos jetësohet.

“Institucionet e sigurisë i kanë bashkërenduar planet dhe përgatitjet. Nuk do të lejojmë që të ketë çfarëdo befasie të pakëndshme. Ka indikacione nga grupe të caktuara përtej kufirit verior të Kosovës, megjithatë ne jemi në gatishmëri të plot”, thonë burime brenda institucioneve të sigurisë.

Sipas tyre, qytetarët nuk kanë arsye për asnjë shqetësim, pasi që siguria nuk do të cenohet për asnjë moment.

Me paralajmërimin për mundësi të intervenimit ushtarak, kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, javën e kaluar tha se shpreson që kurrë nuk do të përdorin ushtrinë, por se në këtë moment kjo është njëra nga opsionet.

Më herët është paralajmëruar se grupe të caktuara radikale nga Serbia të mbështetura edhe nga presidenti Aleksandar Vuçiq do të mundohet që ta destabilizojnë vendin tonë pikërisht në kohë kur do të votohet Ushtria e Kosovës. /Ballkani.info/