E pabesueshme: Kandidatin boshnjak për deputet e bëjnë shqiptar dhe ia mohojnë të drejtën e kandidimit DOKUMENTE

Emin Neziraj, profesor shumëvjeçar në universitetin e Pejës “Haxhi Zeka” dhe për një kohë edhe në nje kolegj privat i gjuhës boshnjake, ishte kandidat nga Nisma Socialdemokrate për njërën nga garat lokale në komunën e Pejës.

Neziraj është propozuar për të kandiduar në listën e NDS-it (Nova Demokratska Stranka), derisa ishte certifikuar nga KQZ-ja si kandididat për deputet nga kjo parti. Deri këtu gjithçka ishte në rregull, derisa një ankesë nga kryetarja e partisë SDU, Duda Balje në drejtim të PZAP-it i ka kushtuar atij me mos certifikim si kandidat i NDS, transmeton Ballkani.info.

Thelbi i ankesës së Baljes ishte tek etnia e Nezirajt, derisa ajo në ankesën e pranuar të PZAP-it thotë se Emin Neziraj është me kombësi shqiptare.
Nga partia NDS, e ish-ministrës Emilia Redzepi, thonë se Neziraj i përket komunitetit boshnjak, e një gjë të tillë për Ballkani.info e pohon edhe vetë Emin Neziraj.

“Unë i kam prezantuar të gjitha faktet, të gjithë shkollimin, që nga ai fillor e kam kryer në gjuhën boshnjake, përndryshe unë jam doktor shkence dhe ish-profesor i Universitetit të Pejës e Prizrenit për disa vjet”, thotë ai.

Neziraj nuk ka qenë në dijeni për ankesën e ish-deputetës së Kuvendit të Kosovës, Duda Balje në PZAP, derisa e quan tendencioze vendimin për tu ankuar në PZAP, sepse sipas tij ajo e sheh si kandidat tepër të fortë që realisht mund të ndikojë në votat e palës kundërshtare.

Ai e ka cilësuar si shkelje të të drejtave të njeriut vendimin e pakuptueshëm ndaj tij, derisa ka thënë se ka bërë apel edhe tek ambasadat e shteteve të forta botërore për tu marrur me këtë rast, teksa shton se në dijeni për këtë gjë është edhe Ambasata e SHBA-ve në Kosovë.

Në ndërkohë ka ardhur vendimi i Gjykatës Supreme me të cilin hidhet poshtë ankesa e NDS për Emin Nezirajn./Ballkani.info/

Intervistën e plotë me Emin Nezirajn e gjeni në poshtë:

Ballkani.info: A keni qenë i informuar se ka pasur një ankesë kundër jush në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa?

Neziraj: As unë e as partia ime NDS, nuk ka qenë e informuar nga PZAP-i për ankesën e znj. Duda Balje, atë ditë kur kam kuptuar kam qenë në Ulqin në kuadër të punës time, jam kthyer pasi një ankesë të tillë nuk e kam pritur dhe ka qenë mjaftë befasuese, jam marrë me procedurat për të dëshmuar kombësinë time, e vetmja mënyrë për të dëshmuar një gjë të tillë ka qenë të marrë një vërtetim nga Zyra Civile e Boshnjakëve, vendim të cilin e posedoj.

Ballkani.info: Çfarë fakte tjera posedoni për të dëshmuar për etnicitetin tuaj?

Neziraj: Unë i kam të gjitha dokumentat, studimet i kam kryer që nga shkollimi fillor në gjuhën boshnjake, madje edhe temën e masterit e kam në gjuhë amtare (boshnjake), unë nuk e di çka tjetër t’i ofrojë, ose nëse dojnë të ma bëjnë edhe testin e ADN-së.

Ballkani.info: Ke qenë kandidat nga Nisma Socialdemokrate, si ke hyrë në këtë parti?

Neziraj: Nisma më është vetëofruar duke vlerësuar kuadrin tim shkencor, ata kanë pasur lëvërdi dhe madje nga ky subjekt kam dalur më i votuari në qytetin e Pejës, unë kam kandiduar me Nismën në nivel lokal.

Ballkani.info: A ke qenë pjesë e ndonjë subjekti tjetër apo NDS është partia e vetme boshnjake në të cilën ju jeni pjesë?

Neziraj: Në fakt NDS nuk ëshë partia ime e parë, në vitin 2005 kam qenë pjesë e Iniciativës Lokale Boshnjake për zgjedhjet lokale në Pejë.

Ballkani.info: A jeni ankuar në Gjykatën Supreme dhe cilat dokumente i keni ofruar si dëshmi për përkatësinë tuaj nacionale?

Neziraj: Po jemi ankuar në Gjykatën Supreme derisa e kemi dërguar Vërtetimin e partisë NDS, të gjitha diplomat e mija dhe të gjithë aktivitetin tim ndër vite, me dokumentacionet e plota.

Ballkani.info: Si e vlersoni vendimin e ankesës nga Duda Balje në PZAP dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për vendimin e Gjykatës Supreme?

Neziraj: Znj. Balje ka orkestruar të gjithë këtë gjë, sepse më sheh kandidat shumë “të rrëzikshëm” në votat e komunitetit, sa i përket vendimit të GJS nuk më çudit fare nëse ma hedh poshtë ankesën, por që pres që drejtësia të flas drejt.

Ballkani.info: A janë në dijeni i institucionet e huaja për rastin tënd dhe moslejimin nga PZAP për kandidim?

Neziraj: Po janë në dijeni edhe Ambasada e Amerikës, në një televizion unë ju kam bërë apel publik për shkeljen ndaj të drejtave të njeriut që po më bëhet mua.

No description available.
No description available.
No description available.
No description available.
No description available.