E mrekullueshme! Vogëlushi 3-vjeçar mposht koronavirusin në Turqi

Një vogëlush 3-vjeçar në Turqi ka mposhtur koronavirusin e ri, COVID-19.

I mituri u lirua nga spitali sot në provincën jugore të Hatay-it pas 15 ditësh trajtim. Ai u shtrua me simptoma të etheve dhe kollë në Spitalin Universitar për Kërkim dhe Trajnim Mustafa Kemal në Hatay.

Dr. Çiğdem El në Departamentin e Shëndetit dhe Sëmundjeve të Fëmijëve për AA tha se “Turqia është një shembull për botën me masat dhe studimet e saj në përpjekjet për të frenuar COVID-19”. El, pa zbuluar identitetin e të mbijetuarit, tha se vogëlushi “fillimisht ka pasur probleme me frymëmarrjen”.

“Pacienti ynë i ri fillimisht kishte probleme me frymëmarrjen. Kishte nevojë për një respirator për tri ditë, por iu përgjigj trajtimeve tona shumë shpejt”, tha El.

Ajo më tej shtoi se familjarët e pacientit të ri kanë rezultuar negativë në koronavirusin. Spitali do të vazhdojë monitorimin e fëmijës për katër javë, tha El. Ndërkohë, familja është shprehur e lumtur që takoi fëmijën e tyre për herë të parë pas trajtimit 15-ditor.

“U mërzitëm shumë pasi testet e tij për COVID-19 dolën pozitive. Fatmirësisht, fëmija ynë tani është i shëndetshëm. Ne po ashtu kemi marrë trajnime për masat kundër virusit”, tha babai i vogëlushit.

Deri më tani Turqia, ka regjistruar afër 91.000 raste të koronavirusit, ndërsa numri i të vdekurve aktualisht është 2.100. Më shumë se 13.400 persona janë shëruar plotësisht nga sëmundja, ndërsa 1.909 persona janë duke marrë trajtim në njësitë e kujdesit intensiv.