E mbajti me dhunë shtetasen çeke, tre vjet burgim

Gjykata Themelore në Pejë ka dënuar me tre vjet burgim Q.B për veprën penale kufizim i kundërligjshëm i lirisë, mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve dhe kanosje.

Ndaj të pandehurit është vazhduar paraburgimi derisa aktgjykimi të merr formën e prerë.

Sipas kësaj gjykate, i pandehuri Q.B është shpallur fajtor për shkak se më 20 maj në fshatin Raushiq, të Pejës në mënyrë të kundërligjshme e ka privuar nga liria shtetasen e Republikës Çeke, e cila derisa ishte duke hipur në automjetin e shokëve të saj për të udhëtuar në Republikën e Çekisë, i pandehuri e kap për flokësh dhe duke e goditur në pjesë të ndryshme të trupit e largon nga shokët e saj dhe e mbyll në shtëpi duke e kërcënuar që të mos kontaktojë me askënd në të kundërtën do t’ia vras familjen dhe të dashurin në Çeki.

“Deri kur pas tre ditësh e njëjta arrin që ta lajmërojë me telefon policinë çeke, ashtu që Policia e Kosovës e njoftuar përmes Interpolit e ka identifikuar vendndodhjen e saj dhe e ka liruar. Me rastin e arrestimit të tij, këtu i pandehuri në Stacionin Policor në Pejë, kanos seriozisht personat zyrtar me fjalët “në momentin e parë që do të dal krejt policët që më kanë arrestu do t’i vras”, bën të ditur kjo gjykatë.