E martoi djalin dhe bëri dasmë në pandemi: I vazhdohet suspendimi nënkolonelit të Gjilanit

Natën e 4 prillit drejtori i Operativës në rajonin e Gjilanit, Nijazi Kolgeci, martoi djalin e tij.

Por ndeja për këtë rast u bë në kundërshtim me masat në fuqi, gjë që çoi në ndërhyrjen e Inspektoratit që shqiptoi gjobë për pronarin e restorantit.

Por as Kolgeci nuk u shpëtoi masave ndëshkuese për mosrespektim të Ligjit për Mbrojtje nga COVID – 19.

Të martën Kolgeci u suspendua për 72 orë, derisa të mërkurën, sipas një vendimi që ka siguruar KOHA, Inspektorati Policor ka kërkuar vazhdimin e suspendimit me pagesë deri në përfundim të hetimeve.

Sipas këtij dokumenti, deri te vazhdimi i suspendimit për Kolgecin erdhi për shkak se i njëjti është nën hetime për “keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar”, meqë organizoi dasmën e të birit gjatë pandemisë.

“Divizioni për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsion më datë 6.4.2021, nga Prokuroria Themelore në Gjilan ka pranuar autorizimin për ndërmarrjen e veprimeve hetimore në drejtim të veprës penale ‘Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, të Republikës së Kosovës, hetim i drejtuar kundër të dyshuarit nënkolonel Nijazi Kolgeci, në pozitën shef i Operativës Rajonale të Policisë në Gjilan, sepse ai më datën 4.4.2021 kishte organizuar dasmën në restorantin “Vali Ranch” në Gjilan, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për pandeminë dhe vendimet e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në vendim.

Në dasmën e organizuar nga Kolgeci kanë marrë pjesë edhe zyrtarë të tjerë policorë që janë nën komandën e tij. Lidhur me masat që duhet ose mund të merren për ta KOHA ka drejtuar pyetje në IPK.

Sipas këtij institucioni, masat do të vijnë në koordinim me prokurorinë.

“V​eprimet e tjera do të ndërmerren në koordinim me prokurorinë kompetente, e cila ka autorizuar hetuesit që të ndërmarrin veprime hetimore dhe në përputhje me autorizimet ligjore të IPK-së”, kanë thënë nga Zyra për media e Inspektoratit Policor.

E pyetjes se sa zyrtarë policorë ishin prezentë në dasmën e djalit të Kolgecit, IPK-ja nuk i është përgjigjur.