Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e ka urdhëruar Postën e Kosovës që t’i dorëzojë të gjithë dokumentacionin lidhur me suspendimin nga puna të Gazmend Isufit, ish-drejtori i Kontrollit të Brendshëm në këtë institucion. Ky vendim është marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, e cila ka autorizuar Policinë e Kosovës që të ndërmarr veprime hetimore lidhur me këtë rast.
Isufi ishte larguar nga puna në nëntor të viti 2021, në bazë të një vendim të Komisionit Disiplinor, shkruan Ballkani.info.
Pas këtij vendimi, Gazmend Isufi kishte ushtruar kallëzim penal në Prokurori, pasi sipas tij, është suspenduar jashtëligjshëm nga puna.
Në vendimin që e ka siguruar Ballkani.info, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, duke zbatuar vendimin e Gjykatës Themelore, i ka kërkuar Postës së Kosovës vendimin për suspendimin nga puna të Isufit, të datës 09.11.2021, komplet dosja e lëndës së Komisionit, duke përfshirë edhe procesverbalet e mbajtura gjatë seancave të komisionit si dhe procesverbalin e intervistimit të Gazmend Isufit, si dhe komplet dosjen e lëndës së Komisionit të ankesave.
Po ashtu, janë kërkuar edhe të gjitha emailat të zhvilluara ndërmjet Agjencionit për Parandalimin e Korrupsionit çoftë me zyrtarin për raportim të Konfliktit të Interesit në Postën e Kosovës, apo ndonjë zyrtar tjetër në Postë, etj.


Ballkani.info po ashtu ka mësuar se organet e rendit tashmë janë duke i intervistuar edhe anëtarët e Komisionit Disiplinor.
Gazmend Isufi, drejtor i Kontrollit të Brendshëm në Postën e Kosovës, ishte larguar përkohësisht nga puna në nëntor të viti 2021 nën dyshimin se kishte kërcënuar, në atë kohë, ushtruesen e detyrës së kryetares së këtij institucioni, Fakete Kadiu.
Sipas vendimit të Komisionit disiplinor “Isufi ka hyrë në zyrën e KE-së dhe e ka kërcënuar me fjalët ‘kam me të shkatërru, thirre kënd të duash’”.
“Komisioni ka vlerësuar rrezikshmërinë e situatës dhe me qëllim të marrjes së masave preventive të ruajtjes së imazhit të ndërmarrjes dhe mosacarimit dhe eskalimit të situatës së krijuar dhe parandalimin e ndonjë eksesi në këtë drejtim lidhur me rrezikimin e kryeshefes ekzekutive, konsideron se veprimi si në dispozitiv është parë i nevojshëm dhe i rëndësishëm”, thuhej në vendimin e Komisionit. /Ballkani.info/







