E kujt ishte ideja për korrigjim të kufirit Kosovë-Serbi?!

Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka shfaqur sot keqardhje pse ideja e tij për vendosjen përfundimtare “të kufijve të kompromisit” ndërmjet Serbisë e Kosovës ka dështuar dhe, kjo, ka thënë ai, ka për t’i kushtuar shtrenjtë popullit serb gjatë viteve në vazhdim.

Ai, siç përcjell tanjug, ka thënë se Kosova nuk do ta heqë taksën, jo për shkak se, sipas tij, Kosova është e fortë, por për shkak se dikush tjetër prapa saj është i fortë dhe për taksën e ka dhënë dritën e gjelbër, transmeton Ballkani.info.

Këtë gjë, ka shtuar, ua ka thënë edhe Merkelit e Macronit në Berlin.

Por, e kujt ishte ideja për korrigjimin e kufijve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Më herët në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi ka folur për korrigjim të kufirit ndërmjet dy shteteve, por me idenë që brenda Kosovës të futet edhe Lugina e Preshevës.

Megjithatë, siç tha sot edhe Vuçiq tërthorazi, Samiti i Berlinit duket se ka varrosur përfundimisht idenë e korrigjimit, shkëmbimit apo ndarjes së Kosovës. /Ballkani.info/