E konfirmon zëdhënësi i Qeverisë: Kryeministri Kurti është kërcënuar

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu e ka konfirmuar se kryeministri i Albin Kurti ka marrë kërcënime, prandaj shtëpia e tij po ruhet nga forcat e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës.

Ai në një prononcim për Gazetën Online Reporteri.net e ka konfirmuar lajmin se kryeministri është kërcënuar. Por Kryeziu nuk ka treguar se për çfarë kërcënimi bëhet fjalë dhe as nga kush ka ardhur ky kërcënim ndaj kreut të ekzekutivit.

“Kryeministri Kurti është kërcënuar. Për këtë arsye, si masë e kujdesit të shtuar, është rritur edhe niveli i tij i sigurisë. Institucionet e hetuesisë dhe sigurisë tashmë janë duke bërë punën e tyre. Ato bëjnë vlerësimet e nevojshme dhe ndërmarrin masat përkatëse.”, tha ai për Reporteri.net.

Po ashtu Kryeziu tha se kryeministri Kurti po vazhdon angazhimin e tij të rregullt.