E konfirmon VV’ja: Nesër takimi i shumëpritur, Kurti shkon në zyre të Thaçit

Të hënën Presidenti Thaçi pritet ta mandatojë Albin Kurtin, LDK mbledh Kryesinë e Grupin Parlamentar.

Disa letra radhazi u shkëmbyen për t’u dakorduar për një takim.

Por presidenti i vendit, Hashim Thaçi dhe kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, pritet që më në fund të hënën të takohen .

Presidenti Thaçi ka deklaruar se do ta pres fituesin e zgjedhjeve më 6 janar në zyrën e tij, duke ia caktuar orën 15:00.

Nga Lëvizja Vetëvendosje, kanë konfirmuar se takimi mes Thaçit e Kurtit do të ndodhë ashtu siç ka theksuar edhe kreu i VV’së, në letrën e dërguar presidenti.

“Në letrën e dërguar Presidentit, Kryetari Kurti ka theksuar se me datën 6 janar në orën në të cilën mundet presidenti, do të mund të takohëshin. Dhe po, nesër pritet të mbahet takimi”, kanë thënë nga Zyra për Media e VV’së.

Herën e tretë e refuzoi përsëri, po këtë herë dha dhe një propozim, që takimi mes tyre të ndodhë më 6 janar.

Pas kësaj, presidenti Thaçi e caktoi orën e takimit.

“Mirëpres faktin që pas ftesës sime të tretë ka pranuar dhe është përgjigjur Kurti. Me datën e përcaktuar nga ai, në orën 15 orë do ta pres në zyrën time. Nuk mund të sillemi me hatërime dhe sjellje që nuk i përkojnë pozitave tona”.

Ndërkohë, një takim po aq i rëndësishëm do të zhvillohet të hënën në zyrat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Fillimisht mblidhet kryesia e kësaj partie, e më pas edhe grupi parlamentar.

Gjithë këto takime po ndodhin pas zhvillimeve në seancën konstituive të fund vitit të kaluar, kur Glauk Konjufca u zgjodh kryetar kuvendi.

Ndryshe, Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, dolën të parat në zgjedhjet e 6 tetorit, ndërsa ende, as pas tre muajsh, nuk kanë arritur të merren vesh për një koalicion për bashkëqeverisjes.